Prishtinë, 31 maj 2011, NOA- Janë dy rekomandime të cilat u miratuan gjatë ditës së sotme nga Kuvendi i Kosovës nga të cilat pritet që qeveria e Kosovës dhe institucionet vendore të obligohen dhe të japin përkrahje institucionale, juridike dhe materiale në mbrojtje të Ramush Haradinaj, në Hagë.
Ndërsa Kuvendi sot miratoi dy rekomandime në mbrojtje e ish-kryeministrit të Kosovës, Ahmet Isufi, deputet në parlamentin e Kosovës deklaron se, “Duke besuar në drejtësinë ndërkombëtare, kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga qeveria dhe institucionet tjera shtetërore dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë që të japin përkrahje institucionale, juridike dhe materiale për zotin Haradniaj dhe bashkëluftëtarët e tij.”
Në debatin e zhvilluar në seancën e ditës së sotme tha se Kosova dhe qytetarët e saj besojnë në drejtësinë ndërkombëtare duke shprehur bindjen në pafajësinë e Haradinaj.
Ramush Haradinaj akuzohet për krime lufte, dhe për këtë ai ndodhet në Hagë për rigjykim, pas shpalljes në një seancë më të hershme si i pafajshëm.
Dy rekomandimet e miratuara në seancën e sotme:
1.Duke besuar në pafajësinë e z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në luftën e drejtë të UÇK-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës thërret Tribunalin e Hagës që procesi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, të jetë i qartë, fer dhe i shpejtë, në mënyrë që z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij të kthehen sa më shpejtë në Kosovë. 2. Duke besuar në drejtësinë ndërkombëtare, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet tjera shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Institucionet Ndërkombëtare në Kosovë që të japin përkrahje institucionale, juridike dhe materiale për z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij.
a.y/NOA