Nga Edi Rama
Komisioni Qendror i Vjedhjeve siç po e shohim të gjithë vazhdon në ilegalitet të plotë pra në shkelje të plotë të ligjit, projektin e Saliut për ta grabitur medoemos fitoren tonë në Tiranë. Ne kemi publikuar fakte, shifra, konkluzione të mbështetura mbi tabelat që kanë dalë prej tavolinës së vjedhjes të cilat flasin mbi përmasën drithëruese të kanibalizmit
elektoral të frymëzuar, të orkestruar, të diktuar nga Saliu. Ndërkohë Saliu thotë pse nuk i kemi ankimuar ne këto fakte dhe shifra, por e vërteta është se ankesa për çka ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Komisionin Qendror të Vjedhjeve ka marrë një përmasë ndërkombëtare.
Nuk ka mbetur jo vetëm qytetar i ndershëm i këtij vendi me respekt për votën e tij, por edhe mik e partner i këtij vendi pa ngritur zërin për aktin e paligjshëm të Komisionit Qendror i Vjedhjeve. Ndërkohë ne e kemi bërë publik faktin që i jemi drejtuar prokurorisë duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk
është thjesht administrativ por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel të gjithë çka ka ndodhur duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës me qëllimin e vetëm të përmbysjes së fitores në tavolinë dhe të grabitjes së mandatit të Tiranës.
Mandat që qytetarët e dhanë për ne dhe që të gjithë e panë shqiptarë, partnerë e miq ndërkombëtarë në një numërim transparent, dramatik dhe të mbyllur në sytë e të gjithëve. Ndërkohë që të gjithë Presidenti i Republikës, trojka e ambasadorëve, departamenti i shtetit, Bashkimi Europian, njëzëri, sigurisht bashkë me ne në këtë si palë e interesuar kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi, që Kolegji Zgjedhor të gjykojë me ndershmëri dhe integritet profesional mbi një çështje të qartë si drita e diellit. Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejtë me çështjen, por ka të bëjë me shumë më tepër se kaq, me fatet e demokracisë dhe me ecurinë e punëve në këtë vend që është tërësisht e kompromentuar në rast se drejtësia nuk bën drejtësi. Ndërkohë ne i kemi pranuar me mirënjohje edhe propozimin për të përfshirë Komisionin e Venecias në ndihmë të Kolegjit Zgjedhor dhe e
mirëpresim kontributin e këtij komisioni prestigjioz, ashtu siç mirëpresim dhe çdo kontribut tjetër për ta ndalur produktin e deformuar dhe deformues të kanibalizmit elektoral. Saliu po turpëron Shqipërinë. Përfytyrojeni se çfarë mund të mendojë çdo mik
e partnerë i këtij vendi duke parë atë që po ndodh. E ajo që po ndodh nuk cenon fatkeqësisht vetëm Saliun apo këtë pushtet të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë që kërkon të imponojë një sistem padrejtësie dhe të sundojë përmes padrejtësisë, por cenon të gjithë ne. Cenon imazhin e Shqipërisë, cenon rrugën e Shqipërisë drejt botës demokratike dhe integrimit në këtë bota demokratike. Cenon ardhmërinë e çdo familje shqiptare pasi e vendos Shqipërinë në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë jo vetëm në raport me
vetveten por edhe në raport me botën mbarë. E sigurisht në rast se drejtësia s’jep drejtësi dhe i gjithë ky manipulim monumental në sytë e të gjithëve “legjitimohet”, përmes vulës së padrejtësisë merret lehtë me mend sesi mund të shkojnë punët e demokracisë, e drejtësisë dhe të vetë ekonomisë në këtë vend. Është bërë e qartë për të gjithë Shqiptarët sesa e lidhur është liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve me fatet e tyre, me fatet e demokracisë, të drejtësisë dhe të vet ekonomisë.
Kjo është e tëra një ndodhi që e bën edhe më të fortë vetëdijen tonë për detyrimin që kemi ndaj vendit si edhe, edhe më të palëkundur vendosmërinë tonë për të vazhduar këtë betejë mes të vjetrës dhe të resë. Të vjetrës si sistem padrejtësie dhe falsifikimi të të vërtetave, duke filluar nga të vërtetat zgjedhore tek të vërtetat e vetë ekonomisë dhe të resë si një kapitull që Shqipëria duhet ta hapë duke u ndarë njëherë e mirë me gjithë
këtë vazhdë të mbrapshtë, e cila garanton përftime marramendëse për një pushtet të kyçur në një oborr njerëzish që kanë vendosur përfundimisht interesat e tyre mbi interesat e vendit dhe pastaj dhe gjithë të tjerëve. Gjithë të tjerëve që kanë nevojë për një rrugë të re. E nuk mund të ketë një rrugë të re pa u ndarë nga kjo rrugë e vjetër.
Protestat para Komisionit Qendror të Vjedhjeve ishin shprehje e një vullneti për të nxjerrë në pah sa më fortë atë që po ndodhte për të rritur ndjeshmërinë e të gjithëve në raport me atë që po ndodhte dhe mbi të gjitha për të kërkuar në rrugë demokratike zmbrapsjen e asaj që ndodhi. Ndërkohë që sot ne jemi në një proces që lidhet drejtpërdrejtë me rrugën ligjore dhe me kërkimin e natyrshëm në këtë rrugë jo të të vërtetës që tashmë dihet nga të gjithë, por të afirmimit të kësaj të vërtete përmes një gjykimi të drejtë, të pavarur dhe të ndershëm. Ndërkohë që sot e gjithë ditën në Komisionin Qendror të Vjedhjeve vazhdon veprimtaria ilegale për të përmbysur rezultatin në tavolinë, duke vazhduar hapja e kutive të zgjedhjeve të 8 majit, kuti të
cilat ndryshe nga çdo herë tjetër kanë dalë nga regjimi i zakonshëm, janë mbledhur pa një vendim si zakonisht, janë magazinuar pa asnjë monitorim, janë hequr nga survejimi me video që ka qenë një praktikë e konsoliduar deri në zgjedhjet e shkuara, hapen e mbyllen sipas oreksit të grabitësve dhe nuk kanë asnjë lloj legjitimiteti për të nxjerrë që aty çfarë do sendi që do të mund të përmbyste legjitimisht një rezultat që shqiptarët e panë me sytë e tyre. Është e qartë Saliu ka bërë zgjedhjen më të gabuar të mundshme për vendin për qeverinë e tij, për veten e tij, por faturën e kësaj zgjedhjeje të gabuar përsëri po e paguan Shqipëria dhe po e paguajnë shqiptarët. Vendimi i kolegjit është një domosdoshmëri jo thjesht për të përcaktuar mandatin e Tiranës mbi bazën e rezultatit legjitim që e pa çdo shqiptar dhe bota mbarë me sytë e miqve e partnerëve të fokusuar në këto zgjedhje, por
edhe për të mos rritur koston për vendin e për njerëzit të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu i cili për fat të keq është kryeministri i këtij vendi, por që kurrë në historinë e tij s’ka pranuar ndonjëherë ndonjë rezultat që e ka nxjerrë humbës, ashtu si kundër nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin
Se në ç’derexhe është katandisur drejtësia në Shqipëri ky është një fakt i njohur, sëmundja është e thellë, efektet e saj kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë sistemin dhe në mënyrën se si sillet sistemi i drejtësisë përpara sesa të vinim në këtë çështje e të kërkonim drejtësi nga drejtësia për këtë çështje. Por nga ana tjetër ne jemi të detyruar nga vizioni ynë për mënyrën se si duhet të shkojnë gjërat në këtë vend, por edhe nga bindja jonë se në të gjitha rastet rruga ligjore është një rrugë që duhet ndjekur medoemos. Që
ti referohemi Kolegjit Zgjedhor si trupa gjykuese që mund të zgjidhë me nder këtë nyje që rrezikon të kthehet në litar në qafën e vendit thjesht dhe vetëm se Saliu nuk tërhiqet nga përpjekja e paudhë për të vjedhur mandatin e Tiranës duke përmbysur rezultatin në tavolinë përmes një veprimtarie haptazi të paligjshme, madje kriminale të Komisionit Qendror të Vjedhjeve.
Ne kemi pranuar propozimin e bërë bujarisht nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar procesin me një ekspertizë të kualifikuar ndërkombëtare në funksion të një vendimmarrjeje sa më solide. Sigurisht edhe për të ndihmuar trupën gjykuese që të ngrihet profesionalisht mbi të gjitha dallgët e presionit të pushteti që nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se ti shkojë deri në fund paudhësisë, me shpresën që ti vërë vulën në thonjëza të një vendimi gjykate, grabitjes së bërë ditën për diell. E për më tepër presioni i hapur mbi Kolegjin nga ana e Saliut është i qartë qysh në momentin kur gjykatësit shoqërohen me policë, pa e kërkuar dhe pa pasur asnjë nevojë. Ky është presion dhe jo garanci qoftë për gjykatësit qoftë për një rezultat të drejtë të gjykimit.
Unë nuk i heq asnjë presje atyre që ka deklaruar Gramoz Ruçi.
Shqipëria nuk ka ngërç. Shqipëria ka krizë. Krizë të thellë të demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë. Është një krizë që sot thellohet dita ditës, për përgjegjësinë ekskluzive të Saliut. Marrëveshjet palët i bëjnë në ligje dhe ligjet duhen zbatuar nga të gjitha palët.
Sot është koha dhe vendi për të folur për atë që kemi përpara si një stacion shumë i rëndësishëm. E përsëris jo për ti dhënë drejtim ligjor, duke dhënë drejtësi thjesht kësaj çështjeje, por për të përcaktuar se si do të zhvillohet jeta politike dhe shoqërore e vendit në vitet në vijim. Pa dyshim vendimi i Kolegjit është përcaktues edhe për këtë.