English

Mlladiç viziton varrin e të bijës, Ana

Beograd, 31 maj 2011, NOA – Pak orë para ekstradimit të tij në Hagë, ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladiç ka bërë realitet dëshirën e tij për të shkuar në varrin e të bijës, Ana, pranë varrezave në Beograd.

Ishte vetë zëvendësprokurori për krimet e luftës në Beograd Bruno Vekariç që deklaroi për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, se Mlladiç u shoqërua pranë varrit të së bijës nën mbikqyrjen e rreptë të forcave të sigurisë.

Vekariç rikujtoi se organi i akuzës kishte pranuar kërkesën e ish-gjeneralit për të vizituar varrin e të bijës së vetëvrarë në vitin 1994.

Ai bëri me dije se kjo vizitë u mundësua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga shërbimet e sigurisë.

Ratko Mlladiç e shprehu këtë dëshirë që në ditën e parë të arrestimit të tij, në 26 maj.

Dëshmitarë të shumtë thanë se Mlladiç gjatë vizitës në varreza shoqërohej nga një kolonë me forca speciale, dhe pas pak minutash qëndrimi autokolona e policisë bashkë me të u nisën drejt aeroportit.

Mlladiç pritet të ekstradohet sot drejt Tribunalit të Hagës ku do të gjykohet për genocid dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës Milos Saljiç kërkoi dje që Mlladiç të mos ekstradohet pasi është tejet i sëmurë.

Por në rast se kërkesa e avokatit e dërguar me postë do të rrefuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë atëherë Ratko Mlladiç mund të niset menjëherë drejt Hagës.

Ndërkohë më herët Mlladiç ka deklaruar në takimin me të birin, Darko, se nuk ka asnjë lidhje me masakrën e Srebrenicës, ku u vranë 8000 burra muslimanë boshnjakë e kroatë.

mit/NOA

KOMENTE