Nga Mero Baze
U bënë disa ditë që Sali Berisha po përpiqet të këshillojë publikisht Kolegjin Zgjedhor se çfarë nuk duhet të bëjë. Po përpiqem të përmbledh gjithë këto këshilla. Ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar të mos pranojë ankimime më nga opozita se i ka kaluar afati, ka kërkuar publikisht të mos ketë rinumërim total të kutive të votimit, pra të mos hapen kutitë, ka kërkuar publikisht të injorohet kërkesa për Komisionin e Venecias, ka kërkuar publikisht të injorojë faktin që ka qindra fletë votimi më shumë se votues dhe së fundi ka kërkuar publikisht të mos i shkojë mendja njeriut të kërkojë rivotim për kryetarin në Tiranë. Nëse i hedh një sy gjithë kurbës së këshillave publike që Berisha po i jep Kolegjit shihet qartë se ai ka frikë çdo hap ligjor që çon në transparencën e këtij procesi. Kanë së paku tri ditë që mediet e qeverisë po brohorasin me të madhe që “u dogj afati i ankimimit për opozitën”!!! Nuk jam i qartë as unë, por as ndonjë ekspert ligjor se çfarë afati është djegur, por gëzimi i telekomanduar i Berishës duket se bazohet tek fakti që Berisha ka frikë nga rivlerësimi i votave të pavlefshme, të cilat në shumicë janë pro Ramës dhe rrëzojnë 80 votat e futura pas beteje për Ristanin. Po ashtu duket qartë se kërkesa për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias e ka bërë keq. Personalisht nuk pres ndonjë gjë të madhe nga kjo këshillë ndërkombëtare, por fakti që Berisha duket i mërzitur nga kjo çështje, sërish na çon tek gjurmët e hajdutit të kutive. E njëjta histori është dhe me egërsinë me të cilën njerëzit e Berishës pranojnë dhe justifikojnë fletët që dalin më tepër se votues. Sipas tyre kjo mund të ketë ndodhur ngaqë nuk janë hapur të gjitha kutitë, por shtojnë menjëherë se kutitë nuk mund të hapen pasi ka kaluar afati. Por egërsinë më të madhe të tyre e shikoj tek ideja e një eksperti gjerman për rivotim të mundshëm për kryetarin në Tiranë, e cila është një ide e mbështetur gjerësisht nga ekspertë të balancuar dhe qytetarë neutralë, të cilët duan të marrë fund kjo histori pa konflikt. Egërsia me të cilën e kundërshtojnë këtë ide, na lë të kuptojmë të gjithëve se plani manipulativ Basha ka qenë një-përdorimsh dhe me kosto të lartë. Si i tillë është e pamundur të ripërsëritet. Dhe e besoj. Vështirë të ripërsëritësh pagesat për zonat informale dhe kategoritë sociale në nevojë, vështirë të sjellësh avionë nga Italia me urë ajrore siç bëri, vështirë të bësh prapë karta fallco dhe të sjellësh kosovarë për të votuar, vështirë të blesh komisionerë dhe numërues, dhe mbi të gjitha vështirë të ndryshosh prapë fytyrën e hajdutit dhe agresorit që ka marrë këto tri javë Lulëzim Basha dhe të rivendosë sërish maskën e njeriut të qetë të distancuar nga Berisha dhe familja e tij që lufton për Tiranën.
Gjithë këto detaje janë në të vërtetë radiografia më e mirë e asaj çfarë Sali Berisha ka bërë në këto zgjedhje. Mjafton të lexosh këshillat publike që i jep Kolegjit, për të kuptuar ku ka vjedhur, si ka vjedhur dhe si po përpiqet të mbrojë vjedhjen. Kolegji Zgjedhor ndoshta nuk ka ndërmend të bëjë asnjë nga këto që Berisha e këshillon të mos bëjë. Gjyqtarët ndoshta nuk kanë asnjë ide se si mund të shkojë beteja ligjore dhe kërkesat e palëve, por ata tani dinë se çfarë nuk do Sali Berisha prej tyre. Kjo është shumë kërcënuese dhe shumë më e rëndë se sa buzëqeshja hipokrite e Lulëzim Bashës, pas së cilës veç krimeve të tjera të vrasjeve dhe vjedhjeve fshihet tanimë dhe krimi elektoral. Pas deklaratave boshe se ata do njohin çdo vendim të Kolegjit, shfaqen përjashtimet, të cilat tejkalojnë çdo mundësi që Kolegji të marrë ndonjë vendim kundër tyre. Me policë tek shtëpia dhe zyra, me roje në rrugë, me shantazhe publike dhe këshilla se si të mos marrin vendime që cenojnë pushtetin, Berisha ka prodhuar ndërkohë mosnjohjen zyrtare të rezultatit dhe ka dhunuar publikisht Kolegjin Zgjedhor. Askush nga opozita nuk ka dalë publikisht të tregoj çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë Kolegji, kurse Berisha jo vetëm që po e bën, por po e bën në mënyrë kërcënuese.
Të vetmit që po shprehen janë ndërkombëtarët dhe ata po dënojnë në unison vendimin e KQZ për të vlerësuar vota të gjetura pas betejës në kutitë të gabuara, vendim që në të vërtetë hedh në erë procesin zgjedhor pasi është selektiv në kuti, në kohë dhe në gjeografinë e votimit. Ky është një kriter që është përdorur për rreth 100 kuti nga 480 të tilla, është përdorur pas mbarimit të numërimit dhe daljes së rezultatit paraprak për Ramën me dhjetë vota para dhe është përdorur vetëm në Tiranë dhe jo në ndonjë rreth tjetër të Shqipërisë. Në këto kushte gjithë të huajt po këshillojnë hedhjen poshtë të kësaj praktike antiligjore të KQZ, por nuk po këshillojnë çfarë nuk duhet të bëjë apo çfarë duhet të bëjë Kolegji. I vetmi që po e bën këtë, dhe ai e bën në mënyrë kërcënuese, është Berisha. Ai është duke udhëzuar Kolegjin si ta kapërcejë detin me këmbë për të shpëtuar Lulëzim Bashën. Problemi është se i vetmi që ka dëshirë të vdesë bashkë me Lulëzim Bashën në këtë vend deri tani është Sali Berisha. Përveç tij, as në partinë e tij por sidoqoftë jashtë partisë së tij, nuk shikoj dikënd që është gati të bëhet kamikaz për të.
*Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA