Tiranë, 1 qershor 2011, NOA – 27 vjet pas gjetjes së eshtrave të tyre, dy ish-të burgosurit e ekzekutuar nga regjimi komunist në burgun e Qafë Barit në Pukë, Sokol Sokoli e Tom Ndoja janë nderuar sot në kryeqytet me homazhe nga autoritetet e larta të vendit.
Kryeministri Sali Berisha pas homazheve pranë eshtrave të dy të ekzekutuarve të regjimit shprehu nderimin e thellë për ta.
“Përulem para martirëve të demokracisë, Sokoli e Ndoja, që u ekzekutuan nga regjimi barabar për besimin e lirë të Zoti, fjalën e lirë, besimin te Shqipëria. Shpreh nderimin më të thellë për të gjithë ata që sakrifikuan për vlerat më të arrira të shoqërisë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se nderimi më i madh që mund t’i bëhet martirëve të lirisë e demokracisë është konsolidimi i fjalës së lirë, votës së lirë.
“Duhet ta dini se kur ata kanë votuar janë paraqitur para kutisë së barbarisë dhe kutisë së armikut”, tha Berisha, duke theksuar se ata ekzekutoheshin për votën e tyre të hedhur jo në kutinë e duhur.
Sipas kryeministrit demokracia është pikërisht respekti i votës ndryshe.
“Kjo është merita e këtij sistemi të ndërtuar me sakrifica, që krahasuar me atë tjetrin, është si dielli me errësirën. Shpreh nderimin më të madh, respektin më të pakufishëm për familjet e Sokolit e Tomës që sakrifikuan aq shumë për lirinë”, nënvizoi shefi i qeverisë pas homazheve pranë Institutit të ish-të përndjekurve politikë.
Eshtrat e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës u gjetën pas një kalvari të mundimshëm pas 27 vite kërkimesh nga familjarët, në varrezat e fshatit Kuç të komunës Guri i Zi në Shkodër.
Dy ish-të burgosurit politikë u ekzekutuan nga regjimi komunist pas revoltës së 20 majit të vitit 1984 në burgun famëkeq të Qafë Barit, që u shndërrua në një nga reaksionet më të forta kundër regjimit diktatorial.
mit/NOA