E mërkurë, 1 qershor 2011, NOA- Zgjedhjet e 8 majit të mbajtura në Shqipëri janë diskutuar gjatë seancës së sotme të Komisionit Amerikan të Helsinkit në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kësaj seance, kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri, Jonathan Stonestreet, ka prezantuar raportin paraprak mbi votimet, si dhe mbi numërimin e votave.
Në fjalën e tij, kreu i vëzhguesve mësohet të jetë shprehur se, “Që në fillim të fushatës nga partitë politike në Shqipëri pati disa vonesa, ndërsa u ngritën akuza ndaj anëtarëve të KQZ-së duke krijuar mosbesim tek ky institucion që në fillim të procesit”.
Më tej ai theksoi se, rezultati i ngushtë solli vështirësi për administrimin zgjedhor, madje shtoi se duhet të shmangen deklaratat triumfatore.
Ndër të tjera ai ka theksuar faktin se baza ligjore e votave është e paqartë, pasi KQZ ka marrë vendimin pa dhënë shpjegim dhe kjo ka shkaktuar reagimin e opozitës.
Komisioni Amerikan i Helsinkit ka bërë thirrje që të luftohet klinetelizmi politik në vend, madje shtoi se asnjë proces zgjedhor në botë nuk është perfekt.
a.y/NOA