English

KQZ do të nisë numërimin e 15 kutive

Tiranë, 1 qershor 2011, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë pas pak numërimin e 15 kutive të mbetura, nga 26 kutitë me fletë të kontestuara, të njohura si vota të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara.

Të 26 kutitë me fletë të kontestuara u ankimuan në KQZ nga Partia Demokratike, një kërkesë që pas miratimit dje me katër vota pro në KQZ i çeli dritën jeshile numërimit të votave dhe po kështu edhe ndryshimit të rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës.

Nga numërimi i 11 kutive, u gjetën 7 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama dhe 4 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.

Pas shtimit të këtyre votave në tabelën përmbledhëse rezulton se avantazhi i kandidatit demokrat Lulzim Basha ngushtohet në 77 vota para, ndaj rivalit të tij socialist Edi Rama.

Procesi i rinumërimit të votave në KQZ, e kthyer tashmë në KZAZ-në e madhe të kryeqytetit, pritet të ndryshojë rishtas rezultatin për bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë rezultati i mëhershëm i shpallur nga KQZ pas numërimit të fletëve të kontestuara në 125 kuti, ku Basha doli në avantazh me 81 vota krahasuar me Ramën është ankimuar nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, me argumentin se shtimi i këtyre votave si të vlefshme ndryshoi raportet në rezultatin e KZAZ-ve, ku Rama doli në avantazh në fund të procesit të numërimit me 10 vota.

Në pritje të vendimit të Kolegjit të premten e 3 qershorit, duket se rezultati për bashkinë e Tiranës do të ndryshojë sërish.

Ndërkohë mbledhja e KQZ-së ka vijuar me shpërndarjen e mandateve të krerëve të komunave të vendit.

mit/NOA

KOMENTE