Tiranë, 1 qershor 2011, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të numërojë sot edhe 15 kutitë e tjera, nga 26 kutitë me fletë të kontestuara apo të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara, kuti që u ankimuan nga Partia Demokratike.
Gjatë rinumërimit të 11 kutive, u gjetën 7 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama dhe 4 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.
Përmes numërimit të votave të kontestuara në 11 kutitë, avantazhi i kandidatit demokrat Lulzim Basha ngushtohet në 77 vota avantazh ndaj kandidatit socialist Edi Rama.
Procesi i numërimit të votave në KQZ do të ndryshojë rishtas rezultatin për bashkinë e Tiranës, ndërkohë që rezultati i mëhershëm i shpallur nga ky institucion është ankimuar nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të japë vendimin këtë të premte në 3 qershor.
mit/NOA