English

Krasniqi: Sfida kryesore, pjesa veriore e Kosovës

Prishtinë, 1 qershor 2011, NOA- Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me ish-anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Earl Pomeroy.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Krasniqi tha se në Kosovë tashmë ka të arritura të dukshme, porse vendi ballafaqohet akoma edhe me sfida tjera.

Ai shtoi se si shoqëri e re, po ndërtohet një traditë demokratike, si në jetën institucionale ashtu edhe në atë shoqërore.

Duke folur për zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar ai tha se vendi është ballafaquar me disa dobësi, të cilat probleme janë tejkaluar dhe po përpiqemi t’i korrigjojmë.

“Sa i përket Kushtetutës duhet të bëjmë ndryshime tek kapitulli i presidentit, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët”, tha me këtë rast Krasniqi, duke shtuar më tej se sfidë kryesore për vendin mbetet pjesa veriore e Kosovë.

Për sa i përket procesit të njohjeve ai kërkoi mbështetje të mëtejmë nga ana e SHBA-ve.

Nga ana e tij, Pomeroy tha se gjatë kësaj vizite duhet të punoj me deputetë të sapo zgjedhur të kësaj legjislature, me kryetarët e komisioneve parlamentare, si dhe me zyrtarët e komisioneve. Duke shprehur befasinë për numrin e madh të deputetëve të rinj, ai këshilloi se në zgjedhjet e ardhshme duhet të krijohen më shumë zona zgjedhore, sepse kjo do të rriste përgjegjësinë e deputetëve në raport me qytetarët.

Më tej ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën, pasi tha ai ka shumë punë për t’u bërë bashkërisht me Kongresin Amerikan në mënyrë që të fuqizohet demokracia në vend, ndërsa shprehu optimizmin e tij se Parlamenti i Kosovës do të ketë rol më të madh në zhvillimet e ardhshme.

a.y/NOA

KOMENTE