Tiranë, 1 qershor 2011, NOA- Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban më 3 qershor pritet të vijë në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Sali Berisha.
Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se, gjatë kësaj vizite zyrtare, kryeministri Orban do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Berisha, i cili do të pasohet nga takimi zyrtar mes dy delegacioneve shqiptar dhe atij hungarez.
Në përfundim të takimeve të dy homologët do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në vijim të vizitës së tij në Tiranë, Kryeministri i Hungarisë, zoti Viktor Orban do të takojë kryetaren e Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli.
Gjithashtu, Kryeministri hungarez do të vizitojë Universitetin e Tiranës, ku do të mbajë një fjalë në takimin me studentët, me temë “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.
Në përfundim Kryeministri Berisha do të shtrojë një drekë, për nder të homologut hungarez, në një prej rezidencave qeveritare.
a.y/NOA