English

Kurti: Vetëvendosja në ditët më të mira, ndërsa Kosova në ditë të këqija

Ferizaj, 1 qershor, 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme mbajti mbledhjen e saj zgjedhore të nivelit të dytë në komunën e Ferizajt.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm kryetarët dhe delegatët e zgjedhur nga vota e aktivistëve nëpër pikat e kësaj qendre, si dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti gjatë fjalës së tij u shpreh se, është koha që vëllimi i madh i organizatës, të përkthehet në cilësi.

Në vijim të fjalës, lidhur me statutin Vetëvendosjes dhe demokracinë e drejtpërdrejtë të promovuar përmes tij, Kurti tha: “Nuk jemi reduktuar vetëm në demokraci përfaqësuese, për arsye se kjo pastaj po reduktohet në demokraci procedurale dhe po jopolitizohet. Lëvizja Vetëvendosje po kalon ditët e saj më të mira, përderisa Kosova po kalon nëpër ditët më të këqija që nga shpallja e pavarësisë. Ne duam që t'ia kthejmë idealet dhe moralin politikës, si parakusht që pavarësisë t’i shtojmë sovranitetin, e Kosovës zhvillimin ekonomik me prodhim vendor… .Tek ne, çdo aktivist është pjesëmarrës në vendime dhe i përfaqësuar. Përmes këtij organizimi ne do të arrijmë të bëjmë ndryshime për një shtet që i shërben shtetit, e jo pushtet si ky që e ka uzurpuar shtetin”.

Më tej foli edhe Shpend Ahmeti, i cili tha se, gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisë, vendi u rrezikua financiarisht, përmes kontratave të rrezikshme, prishjes së marrëveshjes me FMN-në, pasi qeveria nuk arriti t'i përmbushë premtimet që i dha komunitetit ndërkombëtar.

a.y/NOA

KOMENTE