Madrid, 1 qershor, NOA – Pasi dy vite me radhë, kanë qenë fitues dy shkrimtarë të njohur, këtë herë fitues i
çmimit prestigjioz “Princi i Asturias”, është bërë një këngëtar, i njohur edhe si shkrimtar ...
Artisti kanadez i njohur, Leonard Cohen, tashmë në moshën 77 vjeçare, i njohur më mirë edhe si kompozitor, ka rrëmbyer çmimin e famshëm pasi në vitin 2009 ai u fitua nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, ndërsa vitin e kaluar nga shkrimtari franco-libanez, Amin Maalou.
Mësohet se këtë herë, Cohen kishte si rivalë të tij kryesorë për çmimin, shkrimtarin britanik Ian McEvan dhe atë kanadez, Alice Munro.
Kush është Leonard Cohen?
Leonard Cohen filloi të luante me kitarë në moshën 13-vjeçare. Më tej, ai mori pjesë në Universitetin McGill, ku fitoi çmimin McNaughton për krijimtari, para diplomimit. Më pas, ai botoi edhe vëllimin e parë të poezisë, që do të përbënte një sukses të madh për të, kjo në fushën e letrave.
Këngëtari Cohen e nisi turneun e tij të parë në vitin 1967, në Festivalin Neuport Folk.
Cohen nënshkroi më pas një kontratë me studion e regjistrimit “Columbia”, dhe në vitin 1968 publikon albumin e tij të parë, “Këngët e Leonard Cohen", i cili bëri bujë në atë periudhë në media.
Më pas, artisti kanadez e ka lënë skenën e muzikës në fillim të viteve '90 për të jetuar në një manastir budist në Kaliforni, ku ai u bë murg dhe mori emrin Jikan, që do të thotë "heshtje."
Leonard Cohen i rifilloi turnetë vetëm 3 vjet më parë, pas 15 vitesh mungesë nga skena.
n.e/NOA