English

Qeveria rrit numrin e barnave të rimbursueshme

Tiranë, 1 qershor 2011, NOA – Rritet numri i ilaçeve në listën e barnave të rimbursueshme nga qeveria, duke bërë që në këtë listë barnash të përfshihen edhe një numër ilaçesh alternative, për kurimin e patologjive të ndryshme.

Këtë e deklaroi kryeministri Sali Berisha që në nisje të mbledhjes së sotme të qeverisë, ku theksoi se në një numër rekord prej 420 medikamentesh që përfshin kjo listë janë përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm ilaçesh alternative.

Shefi i qeverisë tha se fondi i qeverisë për shëndetësinë është rritur shumë herë dhe nga 3.8 miliardë ka arritur në 7.4 miliardë lekë.

Zoti Berisha e cilësoi këtë rritje si një dëshmi të vendosmërisë së qeverisë së tij për të mbështetur trajtimin sa më të mirë të mundshëm e plotësisht të patologjive e sëmundjeve në vendin tonë.

“Kjo përbën një hap të madh të rëndësishëm, por të mos harrojmë se hapa të mëdhenj janë shënuar edhe në fushën e diagnozës, qoftë në atë të imazhit, kimisë, kimisë molekulare, bakteriologjisë”, tha kryeministri duke vlerësuar fuqizimin e sistemit shëndetësor në vend dita ditës.

Kryeministri bëri me dije se do të vijojë të finalizohet reforma në shëndetësi.

“Ndërkohë taskforca për reformën në shëndetësi do të vazhdojë dhe do të finalizohet duke hedhur themelet e shëndosha të një sistemi shëndetësor efiçent e bashkëkohor me shërbimet më të mira për shtetasit shqiptarë”, nënvizoi ai.

Sipas kryeministrit lista e barnave zgjeron gamën e ilaçeve të rimbursueshme dhe shumë shpejt edhe finalizimin e reformës, që do të formalizojë mekanizmin për shërbimet shëndetësore ndaj qytetarëve.

mit/NOA

KOMENTE