Nju Jork, 1 qershor, NOA - Rusia dhe Meksika, janë dy prej vendeve kryesore në botë, ku gazetarët vriten më shumë se kudo, për shkak të profesionit të tyre.
Një fakt i tillë citohet në raportin më të fundit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, i quajtur “Indeksi i Mosndëshkimit”.
Ai ka marrë në shqyrtim rastet e vrasjeve të pazgjidhura të gazetarëve në mbarë botën.
Dhe ka rezultuar se dhuna anti-shtyp ka vazhduar të rritet në dy vendet e lartpërmendura, aty ku autoritetet duken të pafuqishme për të sjellë para drejtësisë vrasësit e gazetarëve.
Pas tyre, renditen vende si Iraku, Somalia dhe Filipinet, me tregues të përkeqësuar të dhunës së ushtruar ndaj profesionistëve të medias.
"Mosndëshkimi i vrasjeve të gazetarëve i përball qeveritë e këtyre vendeve me një situatë të zymtë, sa i përket lirisë së medias”, shprehet drejtori Ekzekutiv i CPJ, Joel Simon.
Duke shtuar se gjithsesi, kapja e vrasësit të gazetares ruse Politiskaja, përbën një shenjë shpresëdhënëse pas viteve të indiferencës dhe të mohimit në këtë vend të lirisë së medias.
Raporti i titulluar “Indeksi i Mosndëshkimit”, botuar së pari në vitin 2008, identifikon vendet ku gazetarët vriten rregullisht dhe qeveritë dështojnë në zgjidhjen e krimeve ndaj tyre.
Për fat të mirë, Shqipëria nuk bën pjesë në këtë listë, por gjithsesi, ajo është përmendur herë pas here në raportet e radhës së Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për problemet që ende ka në lidhje me lirinë e medias.
Hulumtimimi në fjalë, tregon se dhuna kundër gazetarëve që mbetet pa u ndëshkuar, është vdekjeprurës sepse shpesh çon në një vetë-censurë nga ana e shtypit.
Alternativa të tilla janë si ajo e lënies së profesionit, ose të ikjes nga atdheu i tyre për t'i shpëtuar përndjekjes dhe ndëshkimit.
Në Meksikë, administrata e presidentit Felipe Calderón ka miratuar disa reforma të gjera për forcimin e zyrës së prokurorit special për krime kundër shtypit së lirë, por prokurorët janë ende duke dështuar për të fituar ndaj një sistemi të rrënuar ligjor.
Detaje interesante që zbuloi raporti:
- Një element i veçantë i këtij raporti ishte fakti gazetarët lokalë janë viktimat kryesore në shumicën dërrmuese të rasteve të pazgjidhura në mbarë botën.
- Vetëm rreth 6 për qind e rasteve të pazgjidhura, përfshijnë gazetarë të vrarë duke punuar jashtë vendit.
- Ndërkaq, hulumtimi tregoi sesi më shumë se 40 për qind e viktimave gazetarë, kishin marrë kërcënime para se të vriteshin.
- Rreth 30 për qind e viktimave kishte mbuluar sektorin e politikës.
- Rreth 28 për qind e viktimave kishin mbuluar konfliktet e armatosura, edhe në zonat e luftës etj.
Raste të pandëshkuara vrasjesh të gazetarëve
Shteti Nr.
Iraku 92
Somalia 10
Filipinet 56
Kolumbia 11
Afhanistan 7
Nepal 6
Meksikë 13
Rusia 16
Pakistan 14
Bangladesh 5
Brazil 5
India 7
Statistika
18gazetarë të vrarë në vitin 2011 863gazetarë të vrarë që nga viti 1992 546 gazetarë të vrarë pa u ndëshkuar që nga viti 1992 145 gazetarë në burg në mbarë botën.
n.e/NOA