Zyrtarët thonë se ish komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, e ka kaluar natën në një qeli të izoluar pas arritjes në Tribunalin e Hagës, për tu përballur me akuzat për gjenocid dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje Hercegovinë.
Zyrtarët e Tribunalit thonë se izolimi është standard për sapo të arriturit në tribunal. 69 vjeçari, Mlladiq, pritet që gjithashtu të kontrollohet nga një mjek.
Radio Evropa e Lirë thotë se Mlladiq pritet të bëjë paraqitjen e parë në gjyqë brenda pak ditësh, në kohën kur ai do të pyetet që të konfirmojë identitetin e tij dhe të deklarohet rreth të gjitha akuzave kundër tij.
Mlladiq është ekstraduar nga Beogradi të marten, më pak se një javë pasi u arrestua nga autoritetet serbe.
Mlladiq akuzohet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në masakrimin e 8 mijë burrave dhe djemve në qytetin boshnjak të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995 si dhe për rrethimin katër vjeçar të Sarajevës.