Tiranë, 1 qershor 2011, NOA – Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë për ankimimin e Partisë Socialiste për rezultatin e bashkisë së Tiranës dhe kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e 26 kutive të tjera, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i bëri thirrje palëve që procesi të kryhet në përputhje me ligjin.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet kushtuar Ditës Botërore të Fëmijëve, Sequi apeloi që procesi vendimmarrës për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë të jetë transparent, i lirë dhe i pavarur.
Ambasadori Sequi anashkaloi komentet për sugjerimin e Kryetarit të Delegacionit Parlamentar në PE për Europën Juglindore, Eduard Kukan, që Kolegji Zgjedhor t’i kërkojë asistencë profesionale Komisionit të Venecias.
Sequi u shpreh se “në vazhdimësi Bashkimi Europian ka theksuar rëndësinë e një fjale, procesit zgjedhor, i cili nuk është përmbyllur ende. Ne presim që ky proces zgjedhor të përmbyllet në një mënyrë të drejtë, të lirë e të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor”.
Ambasadori i BE-së theksoi se procesi zgjedhor i 8 majit është tejet i rëndësishëm, pasi nga ky proces do të varet vlerësimi i BE-së që do të jepet në fund të këtij viti.
“Dua të theksoj se ky proces është shumë i rëndësishëm, pasi BE do të bëjë vlerësimin për pjekurinë e politikës shqiptare në fund të vitit”, nënvizoi shefi i delegacionit të BE-së në Tiranë.
Duke marrë në referencë 1 Qershorin, Ditën Botërore kushtuar të Drejtave të Fëmijëve, ambasadori i BE-së ripërsëriti në mesazhin e tij për mediat se “Fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit tuaj. Jam shumë i frymëzuar nga entuziasmi i tyre, dhe ndihem entuziast”, tha Sequi.
mit/NOA