Romë, 1 qershor, NOA – Tentoi të ushtrojë dhunë seksuale ndaj një 20-vjeçareje moldave, por ajo arriti t’i shpëtojë duke e goditur në organet gjenitale.
Ky ka qenë akti i ushtruar nga një emigrant shqiptar në Itali me emrin Refik Cani, 46-vjeç, të cilit pas arrestimit pak muaj më parë, tashmë i ka ardhur momenti që duhet të përballet me një trupë gjyqësore për të marrë dënimin përkatës.
Siç bën me dije korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA në Itali, dy protagonistët e kësaj ngjarje, sipas dëshmive përkatëse, janë njohur në Parma, pasi frekuentonin mjedise që kishin lidhje me çështjet e emigracionit dhe nuk kishin ndonjë lidhje së bashku.
Një mbrëmje, pasi shqiptari e kishte ftuar për darkë vajzën e re moldave, duke e shoqëruar në shtëpi me makinë, e çon në një vend të izoluar, pranë një fshati.
Atje, i zgjat duart dhe duket se tentativa e tij për të ushtruar dhunë seksuale ndaj saj, ka qenë mëse e qartë.
Më tej, sipas rrëfimeve të moldaves, ai i ulëret dhe i bën thirrje për t’u zhveshur.
E ndërsa ajo reziston, qëllohet mjaft fort prej tij.
Më tej, ia del të dalë nga makina, por agresori e qëllon me shkelma dhe grushta duke e shtrirë përtokë.
Në fund, i vendos duart në fyt gati për ta mbytur, por vajza e re duket se i ka shpëtuar këtij makthi, duke e goditur në organet gjenitale.
Kjo në fakt, do të ishte edhe një shpëtim për të, pasi ai menjëherë u tërhoq dhe ia mbathi me vrap në mes të errësirës.
Menjëherë paraqitet te ndihma e shpejtë, me shenjat e qarta në trupin dhe fytyrën e saj, të dhunës së ushtruar nga emigranti shqiptar.
Autoritetet italiane kanë reaguar direkt ndaj këtij akti, duke lëshuar një urdhër-arresti për 46-vjeçarin agresor.
Ndaj tij tashmë rëndon akuza e tentativës për përdhunim, por në të njëjtën kohë edhe për vrasje, duke e rënduar së tepërmi situatën në të cilën gjendet.
n.e/NOA