English

Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje të Kosovës, veriu i yni

Prishtinë, 1 qershor 2011, NOA- Në mbledhjen e radhës së qeverisë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi fuqishëm se në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as këmbim territoresh.

Në vijim ai shtoi se nuk do të ketë as autonomi në veri por integrim territorial dhe gjithetnik, nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

Kjo deklaratë erdhi në përgjigje të deklaratave të liderëve të ndryshëm nga Serbia të gjatë ditëve të fundit.

“Beogradi duhet t’u thotë troç serbëve në veri të Mitrovicës se ajo pjesë është territor i Kosovës dhe se ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kryeqytet i tyre është Prishtina”, u shpreh Thaçi, duke e cilësuar Pavarësinë e Kosovës si minimumin e së drejtës historike të shqiptarëve.

Ndër të tjera ai u ndal edhe në bisedimet e zhvilluara me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili ka qëndruar në Prishtinë nga data 17 deri më 30 maj, duke i vlerësuar diskutimet të hapura dhe të suksesshme.

Sipas tij, çështja më e diskutueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtarë ka qenë ngritja e pagave për punëtorët e sektorit publik në Kosovë dhe se FMN ka qenë kundër rritjes së pagave, por falë politikave të qëndrueshme të Qeverisë së Kosovës shumë të argumentuar është arritur marrëveshje dhe çështja e pagave është e zgjidhur një herë e përgjithmonë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe nuk është në kohën e UNMIK-ut. Ka politikat e veta, ka lidership të legjitimuar, ka qeveri të legjitimuar dhe të zgjedhur në mënyrë legale dhe me legjitimitet të plotë, dhe natyrisht se tani kemi partneritet definitiv me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, theksoi Kryeministri Thaçi.

a.y/NOA

KOMENTE