English

Dita e mjedisit, prezantohet strategji komunikimi mes lumenjve Drin e Mat

E enjte, 2 qershor 2011, NOA- Me rastin e ditës botërore të mjedisit, e cila njihet botërisht si 5 qershori, gjatë ditës së nesërme programi i PNUD-it për Ndryshimet Klimatike në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave prezantojnë strategjinë e komunikimit në deltat e lumenjve Drin e Mat.

Nën temën “Ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe sfidat e adaptimit në deltat e lumenjve Drin e Mat”, kjo fushatë sensibilizuese do të prezantohet përpara një audience të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ministrive të tjera të linjës, autoriteteve dhe komunitetit lokal, përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare, OJF-ve, mediat, etj.

Aktiviteti do të mbahet në Parkun Kombëtar “Vain”, Lezhë, ku do të jenë të pranishëm Taulant Bino, Zv. Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it dhe Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara ne Shqipëri, Gjovalin Gjeloshi, nënkryetar, Këshilli i Qarkut Lezhë dhe Adi Krasta, Ambasador i Vullnetit të Mirë për Ndryshimet Klimatike.

a.y/NOA

KOMENTE