Tiranë, 02 Qershor 2011/ NOA Albana Qehajaj – Ajo që gjatë ditës së djeshme u përfol në thuajse të gjitha mediat e Tiranës dhe më gjerë ato ndërkombëtare si “Horrori i Kavajës”, në të vërtetë ishte as më shumë dhe as më pak, por një “Përrallë nga e Kaluara”.
Griselda Rroshi (Zaimi), 28 vjeçarja në martesë me Elvis Rroshin, kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë Kavajë, me mbështetjen e Partisë Socialiste, doli se kishte bërë një mashtrim të ulët që investoi policinë, prokurorinë dhe shumë hallka të tjera shtetërore dhe tronditi e shokoi opinionin publik shqiptar dhe atë të huaj.
Një denoncim vërtet rrënqethës, pasi Griselda deklaroi se ishte rrëmbyer në mes të Tiranës nga disa njerëz të armatosur që pasi e dhunuan me armë nën detyrim të dhunshëm i lindën me zor fëmijën që mbante në bark prej afro nëntë muajsh dhe pasi ia mornë peng bebin e flakën në rrugë pas një hemorragjie.
Denoncimi horror ishte kaq i frikshëm sa shumë pak njerëz mbetën të pashokuar. Por e gjitha ishte një “lojë”, vërtet e shëmtuar dhe e pafalshme nëse ka qenë një lojë thjesht për të luajtur me sensibilitetin e qytetarëve.
Sepse nëse do të ishte një lojë apo sajesë që synonte të prekte vetëm persona të caktuar, sa kohë që u shndërrua në denoncim zyrtar në prokurori, u kthye në një lajm që tmerroi shqiptarët.
Zyrtare nga Prokuroria
Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pas regjistrimit të denoncimit më datën 01.06.2011 për rrëmbimin e shtetases Griselda Roshi, realizuan një sërë veprimesh hetimore për verifikimin e rrethanave të ngjarjes duke vlerësuar dhe vetë sensibilitetin që paraqet ky rast.
Në bazë të analizës të veprimeve hetimore të deritanishme, u arrit në konkluzionin se nuk ka elementë që të vërtetojnë rrethanat e pengmarrjes së shtetases Griselda Roshi, çfarë hedh poshtë pistën e variantit të rrëmbimit dhe marrjes peng të fëmijës së sapolindur.
Ndërkohë, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punohet për të sqaruar më tej arsyet dhe motivimin e denoncimit.
Po ashtu, shtetasi Saimir Rroshi, gjatë deklarimit të tij në Polici, citon se – Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj dhe më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Rreth orës 04.00’, të datës 01 Qershor 2011, kjo shtetase është lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer, pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës.
Menjëherë nga strukturat e Policisë së Tiranës, paralelisht janë formuar dy grupe hetimore, me synim kryerjen në kohë dhe me cilësinë të të gjitha veprimeve hetimore, ku fillimisht grupi i parë, ka kryer veprime hetimore në Kavajë dhe grupi i dytë ka kryer veprime hetimore në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nga ku janë kryer këto veprime hetimore:
Janë identifikuar dhe pyetur personat që janë takuar me shtetasen Griselda Zaimi, ku nga deklarimi i shoqes së saj, me iniciale J.T, tregon se - ka pirë kafe me Griseldën tek mjediset e lokalit të Qendrës Kristal (në pronësi të bashkëjetuesit të saj), ku kanë qëndruar deri rreth orës 19.00’. Më pas këto shtetase kanë dalë nga kjo qendër dhe përpara saj, Griselda ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes që do të shkonte në shtëpi. Shtetasja J.T deklaron se – Griselda dukej shtatzënë pranë muajit të lindjes.
Është identifikuar dhe marrë në pyetje shoferi i taksisë me iniciale A.C, nga ku ka rezultuar se, ka marrë shtetasen Griselda Zajmi, që në dukje ishte shtatzënë, pranë Qendrës Kristal dhe nga aty ka ndaluar tek një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka dhe më pas sipas kërkesës së Griseldës e ka dërguar këtë të fundit, tek Hotel Broadway, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar.
Janë identifikuar dhe marrë në pyetje punonjësit e Hotelit Broadëay, që kanë kontaktuar me shtetasen Griselda Zajmi, nga ku rezulton se deklarimi i shtetases me iniciale G.H, e cila citon se: Griselda është paraqitur në hotel e vetme, rreth orës 19.30’, ka prenotuar një dhome duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë në dhomë. Kjo shtetase deklaron se shtetasja Griselda Zajmi në dukje ishte shtatzënë.
Deklarim i shtetasit me iniciale A.M, që punon në këtë hotel, rezulton se Griselda ka qëndruar e vetme në dhomë, gjatë kësaj periudhe nuk ka hyrë asnjë person në hotel apo dhomën e saj. Në orën 01.50’ shtetasja Griselda Zajmi, ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht, ai shton se – kjo shtetase nuk dukej shtatëzanë.
Është identifikuar dhe pyetur shtetasi me iniciale B.K, shofer taksi që ka marrë Griseldën në hotel nga ku rezulton se nga hoteli e ka dërguar atë, tek klinika mjekësore Ikeida dhe pasi e ka lënë aty, shoferi është larguar.
Janë identifikar dhe pyetur mjeku dhe punonjësi i klinikës Ikeda dhe konkretisht shtetasi me iniciale L.G (mjek), i cili ka cituar se – Griselda është paraqitur në këtë klinikë rreth orës 02.10’ dhe ankohej për të vjella dhe diarre. Është bërë menjëherë terapia e kësaj shtetase nga ana e stafit mjekësor duke e trajtuar me serum. Nga ku ky i fundit deklaron se kjo shtetase në dukje nuk ishte shtatzënë dhe nuk patur ankesa në lidhje me shtatëzaninë. Kjo shtetase, ka qëndruar në këtë klinikë deri rreth orës 03.20 dhe më pas është larguar me taksi.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjitha pamjet filmike të regjistruara tek qendra Kristal si dhe i çdo ambienti tjetër biznesi i pajisur me kamera përgjatë rrugës “Komunna e Parisit”.
Për sa më sipër është bërë ekzaminimi mjeko ligjor ne Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminim Gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë.
Në sajë të veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bien poshtë pretendimet e shtetases Griselda Zajmi mbi rrëmbimin e saj dhe lindjen e detyrueshme e më pas marrjes peng të fëmijës së sapolindur.
Aktualisht jemi në pritje të marrjes së aktit të ekspertimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të vërtetuar mbi shtatzëninë ose jo të kësaj shtetaseje.
Ndërkohë, shtetasja Griselda Zaimi ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po merret në pyetje nga Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe drejtues të Policisë së Kryeqytetit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punohet më tej, për të sqaruar motivet dhe arsyen e krijimit të kësaj situate apo alibie.
a.q/e.t/NOA