Tiranë, 2 qershor 2011, NOA – Pas numërimit të fletëve të kontestuara në 26 kutitë e fundit të ankimuara nga Partia Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë sot për votat kontestuara në këto kuti, kur vendimmarrja për to e përfshirja në tabelën përmbledhëse të bashkisë së Tiranës kërkon tashmë jo shumicë të thjeshtë votash, por shumicë të cilësuar, pra pesë vota pro, nga shtatë anëtarët e KQZ-së.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu rivlerësimin e fletëve të votimit në 117 qendra votimi.
Pas rivlerësimit të fletëve të kontestuara në 26 kuti, PD ka kërkuar rivlerësimin e fletëve për të 117 qendrat e votimit me arsyetimin se ato mund të jenë vlerësuar gabim nga KZAZ-të.
Kjo kërkesë e PD-së erdhi për shkak se KQZ gjatë numërimit të fletëve të kontestuara në raundin e parë, kur numëroi 125 kuti, nuk bëri rivlerësimin e votave të kontestuara, por vetëm numërim.
Nga hapja e 26 kutive të ankimuara u numëruan 16 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama dhe 13 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha.
Shpërndarja e votave të kontestuara të numëruara në KQZ ka përmbysur rezultatin me 10 vota në favor të Edi Ramës, i dalë pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie në Tiranë.
Tanimë në avantazh është kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha me 78 vota, një avantazh ky i ngushtuar pas rivlerësimit të votave të kontestuara edhe në 26 kutitë e fundit.
Në mbledhjen e sotme KQZ pritet të diskutojë për këto vota, por edhe për dy ankesat e Partisë Socialiste dhe atë të Partisë së Pensionistëve.
Gjatë numërimit të fletëve të kontestuara që ndodheshin në 26 kutitë e ankimuara nga PD u gjetën fletë të tilla, ku zgjedhësit kishin votuar me shenja të paqarta apo të ndryshme nga shenjat e duhura, kryq ose plus, apo edhe shënime të tjera. mit/NOA