English

Krimet e Ratko Mladiçit

Nga Ian Buruma

Ratko Mladiç është një burrë që mund ta urresh lehtë. Në ditët kur i priste shpata, ai jo vetëm që fliste dhe sillej si një rrugaç, por edhe dukej i tillë – një burrë qafëtrashë dhe sybardhë, që me kënaqësi do t’i nxirrte thonjtë qoftë edhe sa për të thënë. Përveç shumë krimesh, kasapi i Bosnjës ishte përgjegjës, në verën e vitit 1995, për masakrimin e tetë mijë djemve dhe burrave të paarmatosur muslimanë të Bosnjës në pyjet përreth Srebrenicës.

Prandaj kapja e tij në fshatin serb Lazarev na ka dhënë të gjithëve një lloj kënaqësie. Serbia ka fituar respekt me arrestimin e Mladiçit, duke ia hapur kështu vetes mundësinë e marshimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Familjet e viktimave të Mladiçit do të ndiejnë një lehtësim pasi më në fund drejtësia po vihet në vend.

Megjithatë, gjykimi i pritshëm i Ratko Mladiçit do të lindë shumë pyetje të sikletshme. Pse, para së gjithash, nuk gjykohet në një gjykatë të Beogradit, por dërgohet në Hagë? Dhe a është gjë e mençur ta akuzosh atë edhe për gjenocid, por edhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte?

Të dyja këto pyetje shpalosin sesi ne ende vazhdojmë të jetojmë nën hijen e Tribunalit të Nurembergut, ku udhëheqësit nazistë u gjykuan nga një panel ndërkombëtar i drejtësisë. Besohej, mbase me të drejtë, se gjermanët nuk do të ishin të aftë t’i gjykonin ish-udhëheqësit e tyre. Dhe krimet e nazistëve kishin qenë aq të tmerrshme dhe të përmasave të mëdha saqë u desh të krijoheshin ligje të reja - “krimet kundër njerëzimit” - për t’i gjykuar ata që zyrtarisht ishin përgjegjës për urdhërimin e tyre. Edhe shtetet po ashtu duhet të bëhen përgjegjëse për veprat e tyre - si rrjedhojë, në vitin 1948, u hartua Konventa e Parandalimit dhe Ndëshkimit të Krimit të Gjenocidit.

Holokausti nuk ishte thelbi i gjykimeve në Tribunalin e Nurembergut. Kështu që, aleatët menduan se projekti nazist për shfarosjen e plotë të një populli kërkonte një qasje të re ligjore, për t’u siguruar se një masakër e tillë nuk do të ndodhte kurrë më.

Problemi me gjenocidin, si koncept ligjor, është se vagullsia e tij u referohet “akteve të kryera me qëllim shkatërrimin, në përgjithësi apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”. Theksi vihet mbi “qëllimin”, e jo në numrin e njerëzve jetët e të cilëve janë shkatërruar. Mao Ce Duni ka vrarë më shumë se dyzet milionë kinezë, por a synonte ai shkatërrimin e tyre si grup? Pa dyshim se jo. Ne e dimë se Hitleri u mundua ta asgjësonte çdo burrë, grua apo fëmijë hebraik. Edhe pse vrasjet masive nuk janë të rralla në histori, plani i Hitlerit për asgjësim, nëse nuk ishte unik, pa dyshim ishte i pazakontë.

Megjithatë, thirrjet e forta për ta parandaluar një gjë të tillë kanë pasur pasoja fatkeqe. Prandaj, në zellin tonë për të mësuar nga historia, ne shpesh marrim mësimet e gabuara, ose e shtrembërojmë historinë për qëllime të dyshimta.

Në njëfarë mënyre, vrasjet në Srebrenicë ishin të shtyra nga kujtimet e Luftës së Dytë Botërore. Batalioni holandez i Kombeve të Bashkuara premtoi se do t’i mbronte muslimanët e atjeshëm, edhe pse nuk ishte në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Ishte një premtim që pjesërisht reflektoi ndjenjën e fajit, që ende i ndjek holandezët që mbyllën njërin sy kur gjermanët kapën dhe deportuan në kampet e vdekjes dy të tretat e popullatës hebraike të Holandës. Kësaj here do të ishte ndryshe. Kësaj here ata do të vepronin. Të munduar nga numri më i madh i forcave të armatosura të Mladiçit, ata ua dorëzuan Srebrenicën.

Për shkak të traumës së lënë mbrapa nga synimi i Hitlerit për t’i shfaruar hebrejtë, gjenocidi është bërë një arsye për aksione ushtarake, përfshirë ndërhyrjen e armatosur në vendet e tjera. Por çfarë përbën gjenocid? Bernard Kouchner, themelues i “Mjekëve pa kufij”, donte që bota të ndërhynte në Nigeri në vitin 1970, për shkak se kishte parë vrasjen e fiseve Ibos nga trupat nigeriane, si një jehonë e gjenocidi të Auschwitz-it. Të tjerët e shikonin si një luftë brutale civile, dhe paralajmëronin se ndërhyrja vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat.

Për disa, ne jetojmë përgjithmonë në vitin 1938, apo në vitin 1942, kur nazistët miratuan atë që Hitleri e quajti “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike”. Presidenti George W. Bush dhe flamurtarët e tij, duke iu kthyer Marrëveshjes së Munihut në shumë raste, i konsideruan sulmet terroriste të 11 shtatorit si një thirrje nën armë. Saddam Husseini ishte Hitleri, kështu që duhet t’i dërgojmë trupat tona atje. Ne duhet ta ndalim gjenocidin në Darfur të Omar al-Bashirit. Ne duhet ta ndalim kolonelin Gaddafi nga kryerja e vrasjeve masive në Benghazi. Dhe kështu me radhë.

Nganjëherë ndërhyrja mund të shpëtojë jetë njerëzish. Por luftërat nganjëherë sjellin më shumë luftëra, ose luftëra më të gjata. Ndërhyrja ushtarake mund të shkaktojë më shumë dhunë, dhe më shumë vdekje civilësh. Kjo është më se e vërtetë për luftërat civile, ku palët nuk mund të ndahen lehtë në viktima dhe agresorë, të mirë dhe të këqij.

Natyrisht, bota bëhet më e thjeshtë nëse zgjedhim ta shohim bardh e zi. Dhe gjykimi i Mladiçit, pa dyshim, do ta inkurajojë këtë perceptim. Ai do të gjykohet për gjenocid, sepse Tribunali i Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosën se serbët e Bosnjës ishin gjenocidalë. Meqë mbështetësi i tij Radislav Kërstiç, i cili tashmë është gjykuar për bashkëfajësi në gjenocidin e Srebrenicës, presupozojmë se edhe Ratko Mladiçi do ta marrë të njëjtin dënim.

Nuk ka pse ta na vijë keq për Mladiçin. Nuk ka fije dyshimi se ai është fajtor për krime lufte. Dhe një gjykim, sado i pakënaqshëm, është në shumë raste i më i mirë se një ekzekutim. Por gjykimi i tij për gjenocid, edhe pse do të jetë e vështirë të faktohet se ai kishte për qëllim të asgjësonte muslimanët e Bosnjës si grup, vetëm pse ishin muslimanë, vetëm sa do ta mjegullojë kuptimin e amullt të përkufizimit të gjenocidit.

Mladiçi kreu spastrim etnik, i cili, edhe pse i dënueshëm, nuk është i njëjtë me gjenocidin. Përkufizime të paqarta do të inkurajojnë më shumë ndërhyrje ushtarake dhe, si pasojë e kësaj, më shumë luftëra. Duke iu kthyer shpeshherë fantazmës së Hitlerit, ne kalojmë në plan të dytë përmasën e aksioneve të tij.

*Ian Buruma është profesor i Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në Bard College, dhe autor i “Zbutja e zotave: Feja dhe Demokracia në tre kontinente”.

KOMENTE