HORRORI I KAVAJES, NJE "PERRALLE NGA E KALUARA"
Kavajë, 2 qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana – Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, del me një deklaratë publike ku i kërkon ndjesë “miqve të Partisë Socialiste” dhe bashkëqytetarëve e mediave.
Kurse më tej konfirmon se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen kur shprehet se “e vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndjehem sot në një borxh edhe më të madh”.
***
“Në emër të familjes time, të babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmve, si edhe në emrin tim personal, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë”.
Këtë deklaratë ka lëshuar sonte kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pas denoncimit të bujshëm të gruas së tij Griselda Zaimi.
“U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi kavajas që ndanë me mua dhe familjen orët e mia më të vështira të jetës duke na ndenjur pranë gjatë kohës kur e vërteta për ne ishte fare tjetër nga sa doli”, - vijon ndjesa publike.
Kurse vijon: “U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time”.
Nga ana tjetër Elvis Rroqi thotë: “Falenderoj prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. Ata bënë gjithçka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres”.
Një tjetër falënderim nga Rroqi është: “Falenderoj edhe median për vëmendjen e veçantë. Kërkoj të na falin për mundimin e tyre dje të gjithë gazetarët e kameramanët që qëndruan me orë deri natën në rrugën para shtëpisë”.
Kurse më tej kërkon mirëkuptim: “Çdo njeri mund ta kuptojë fare mirë gjendjen shumë të vështirë ku unë vetë ndodhem”.
Dhe në fund, vjen premtimi i z.Rroqi: “E vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndjehem sot në një borxh edhe më të madh”.
e.t/NOA