Tiranë, 2 qershor 2011, NOA – Pas hedhjes poshtë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të pistës së rrëmbimit të bashkëshortes së kryebashkiakut të Kavajës, Griselda Roshi, pyetja që lind është ku ndodhet foshnja e sapolindur...
Bashkëshortja e Elvis Roshit doli para pak minutash nga Instituti i Mjekësisë-Ligjore në Tiranë, ku iu nënshtrua përgjatë një ore një ekspertize për të kuptuar më mirë se ç’farë ka ndodhur mbrëmjen e të martës me Griselda Roshin, e cila dëshmoi se është rrëmbyer nga persona të armatosur, të cilët e kanë dërguar më pas në një klinikë private ku ka bërë një lindje të detyruar të foshnjes së saj.
Por pas hedhjes poshtë në mënyrë zyrtare të kësaj piste rrethanat e kësaj ngjarje të denjë për një film horror, që shokuan vendin, është ende e paqartë vendndodhja e foshnjes së saj, djalë.
Bashkëshortja e Elvis Roshit doli nga Instituti i Mjekësisë-Ligjore në Tiranë e shoqëruar nga forca të shumta të policisë.
Ekspertiza mjeko-ligjore e gruas së Elvis Roshit u kërkua si provë nga prokurori i çështjes Henrik Ligori.
Ndërkohë mjekët e klinikës ku Griselda Roshi ka bërë lindjen sipas saj të detyruar thanë për policinë se bashkëshortja e Elvis Roshit kishte bërë një abort të vullnetshëm.
Griselda Roshi pasi u gjet në një gjendje psikike të rënduar mëngjesin e të mërkurës pak metra larg shtëpisë së saj bëri një denoncim në polici se ishte rrëmbyer nga disa persona të armatosur mbrëmjen e të martës, tek “Komuna e Parisit”.
Bashkëshortja e Elvis Roshit ishte në muajin e nëntë të shtatëzanisë së saj, dhe dëshmoi se ishte detyruar të lindte foshnjën në një klinikë private, e cila sipas dëshmive ndodhet në zonën pranë “Brrylit” në kryeqytet.
Sikundër u mësua më herët bashkëshorti i saj ishte në Itali kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Tashmë ngjarja, dëshmia e Griseldës për rrëmbimin dhe lindjen e detyruar, mosgjetja e foshnjes dhe hedhja poshtë e pistës së rrëmbimit të saj nga persona të armatosur pështjellon rrethanat e ngjarjes, duke bërë edhe më të ethshme pritjen e detajeve të reja nga hetimi i ngjarjes së ditës, dhe motivimin e denoncimit të Griselda Roshit.
mit/NOA