English

Kufijtë e Kosovës të paprekshëm, Spahiu: Tadiç e Daçiç si Ponc Pilati

Tiranë, 2 qershor 2011, NOA – Themeluesi i “Aleancës Kuq e Zi”, njëherësh nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu reagoi ashpër ndaj kërkesës së djeshme të zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiç për ndarjen territoriale të Kosovës, mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Spahiu deklaroi prerë se kufijtë territorialë të Kosovës janë të paprekshëm dhe nuk mund të copëtohen nga pazaret politike.

Gjatë forumit të hapur me qindra aktivistë të “Aleancës Kuq e Zi” dhe ekspertë nga fusha e drejtësisë, diplomacisë dhe historisë, Spahiu theksoi se “Qeveria serbe duhet ta harrojë Kosovën dhe të rishikojë statusin dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanovc e Metvegjë”.

“Ne presim që Serbia jo vetëm të respektojë të drejtat universale të shqiptarëve të gjallë, por ajo duhet të bashkëpunojë me Hagën për të treguar ku janë fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të vrarë gjatë luftës”, tha Spahiu.

Kryetari i “Aleancës Kuq e Zi” deklaroi se “presidenti serb Boris Tadiç dhe Ivica Daçiç nuk mund të lajnë duart si Pons Pilati i Romës së lashtë me dorëzimin e kriminelit Mlladiç dhe të harrojnë mijra krime të shkaktuara nga Serbia”.

Spahiu i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës që të nisin procedurat administrative dhe ligjore për të shpallur 10 qershorin festë kombëtare.

Ai nënvizoi se “Lidhja e Prizrenit më 10 qershor ishte afirmimi i parë politik i një shteti të ardhshëm shqiptar. Në 10 qershor u hodhën themelet e një programi mbarëkombëtar për krijimin e shtetit të ardhshëm dhe ne duhet ta përkujtojmë atë siç e meriton. Shteti shqiptar ka sot me dhjetëra festa kombëtare, embëlsirash dhe ballokumesh dhe është e patolerueshme të mos i japim vlerë ditës, në të cilën shqiptarët lidhën platformën e për të ardhmen e një sistemi politik dhe shtetëror”, tha Spahiu.

Gjatë takimit të Aleancës Kuq e Zi intelektualë dhe historianë diskutuan ndër të tjera se destabilizimi politik i Shqipërisë ka rigjallëruar egërsisht qarqet më shoviniste serbe dhe greke duke i vënë ato në veprim, ndërsa Tirana zyrtare është e papërgatitur për shkak të etheve politike të kutisë së fundit.

Ata theksuan se “megjithë rëndësinë e zgjedhjeve lokale rreziku i ndarjes së Kosovës apo i asimilimit të identitetit kombëtar në jug të Shqipërisë është prioritet pasi shteti duhet të funksionojë nën moton “kombi mbi partitë”.

mit/NOA

KOMENTE