English

Kuvendi vijon seancën plenare pa deputetët e PS

Tiranë, 2 qershor 2011, NOA – Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën plenare me shqyrtimin e ligjeve që janë në rend dite. Ashtu siç ishte paralajmëruar seanca është bojkotuar rishtas nga deputetët e opozitës, por përjashtim bën vetëm deputeti socialist Andis Harasani, i cili ka thyer bojkotin e opozitës si në paraqitjen në seancë plenare edhe në komisionet parlamentare.

Në rendin e ditës është miratimi i projektligjit për të drejtën tregtare private, ai për të drejtat e fëmijëve të lindur jashtë martese, apo edhe ratifikimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Federatës ruse e kërkuar nga vendi ynë, projektrezolutës për vlerësimin e avokatit të prokurimeve për vitin 2010, etj.

Duke iu referuar ratifikimit të marrëveshjes me federatën ruse, deputeti socialist Andis Harasani e vlerësoi të duhur ratifikimin, por kërkoi të dijë nëse Shqipëria ka trashëguar ndonjë borxh ndaj vendeve mike që nga periudha komuniste.

Ministri i Financave Ridvan Bode iu përgjigj duke thënë se “Nuk kemi asnjë borxh të trashëguar nga periudha komuniste”.

Ndërkohë pas miratimit të projektligjeve në rendin e ditës seanca do të vijojë me diskutimet e lira, ku deputetët e PS-së nuk do të jenë pjesë.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama paralajmëroi dje se deputetët socialistë do të bojkotojnë Kuvendin deri në shpalljen e kandidatit fitues të betejës elektorale të 8 majit për bashkinë e Tiranës nga Kolegji Zgjedhor, një vendim që pritet të merret nesër, në 3 qershor.

mit/NOA

KOMENTE