English

Rrëfimi i diplomatit amerikan: Si e njoha Ratko Mlladiçin

SHBA, 2 qershor, NOA - Ish-diplomati amerikan në Ballkan dhe ish-ambasador në Maqedoni, Christopher Hill në një intervistë për radion nacionale amerikane “NPR” sjellë detaje mbi njohjen me kriminelin e arrestuar serb për krime lufte, Ratko Mlladiç.

Ish-diplomati amerikan pjesëmarrës në arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit për paqen në Bosnjë-Hercegovinë përshkruan një moment rrënqethës të kriminelit serb.

“Ai kishte therur një derr para komandantit holandez të helmetave të kaltërta të OKB-së, për të dëshmuar përkushtimin e tij pas dhunës dhe brutalitetit”, ka shtuar Hill, i cili përshkruan se Mlladiçin e ka njohur në shtator të vitit 1995 në një darkë private në shtëpinë e gjuetisë të ish-diktatorit serb Sllobodan Millosheviç.

“Ndërsa rrinim, Millosheviç më tha se: E di se nuk mund të negocioj për heqjen e rrethimit të Sarajevës. Unë nuk mund ta bëjë këtë, por në dhomën fqinje timen është dikush që mund ta bëj. Kam sjellë këtu Ratko Mlladiçin dhe Radovan Karaxhiçin për të biseduar. Filluam bisedimet shumë të lodhshme atë natë. Mlladiçi ishte një bashkëbisedues i rëndë i përkushtuar pas brutalitetit”, ka theksuar diplomati amerikan Christopher Hill.

Hill gjithashtu e ka përshkruar Mlladiçin si një njeri me veti keqbërëse. “Ai gjithnjë ka dashur të tregohej se është luftëtarë i vërtetë. Ka qenë me përgatitje dhe të gjitha pajisjet ushtarake, sikur të vinte nga ndonjë operacion ushtarak apo diçka të tillë”, ka thënë diplomati amerikan.

Sipas tij, ai më pas ka siguruar të dhëna nga burimet ushtarake në Maqedoni dhe Serbi se Mlladiç ka pasur rezultatet më të dobëta në klasën e tij në Akademinë Ushtarake.

“Ka qenë shumë e çuditshme për të ndjekur sjelljen e tij dhe të Radovan Karaxhiçit. Disa herë Mlladiçi kërcënonte se nuk do të negocionte, dhe ngrihej dhe bëhej gati për të lëshuar dhomën e negociatave, por Karaxhiçi e kthente në tryezë”, përkujton Hilli, duke shtuar se do të ishte i befasuar nëse Mlladiç do të përpiqet para Tribunalit të Hagës për të deklaruar se nuk ka ditur për krimet e luftës për të cilat është i akuzuar.

NOA/INA

KOMENTE