Kavajë, 2 qershor 2011, NOA – Ngjarja që shokoi vendin, ajo e rrëmbimit të gruas së kryebashkiakut të Kavajës, dhe lindja e detyruar e foshnjes së saj pritet të ketë të reja, sot pas ekspertizës mjeko-ligjore të të rrëmbyerës.
Griselda Roshi, bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, e cila u rrëmbye mbrëmjen e të martës nga persona të armatosur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë do t’i nënshtrohet sot ekspertizës mjeko-ligjore, pas nënshtrimit të lindjes së detyruar të foshnjes, në një klinikë private në kryeqytet.
Ekspertiza mjeko-ligjore u kërkua nga prokurori i çështjes Henrik Ligori.
Ndërkohë që Griselda Roshi pas rrëmbimit nuk mban mend personat që e rrëmbyen dhunshëm duke e vënë në narkozë, për prokurorinë është ende mister fati i foshnjës, djalë, që pritej të vinte në jetë vetëm pas pak ditësh.
Pas denoncimit të Griseldës, policia e Tiranës zbuloi mbrëmë vonë klinikën ku është bërë lindja e detyruar, e cila ndodhet në afërsi të zonës së “Brrylit” në kryeqytet.
Policia ka shoqëruar një numër personash, mjekë të klinikës, të cilët pas marrjes në pyetje kanë thënë se Griselda Roshi ka kryer lindje të vullnetshme.
Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet për këtë histori rrëmbimi që shokoi vendin.
Sipas dëshmive, Griselda Roshi ishte rrëmbyer pasi kishte pirë kafen me një shoqe pranë zonës së "Komunës së Parisit”.
Ajo u gjet në një situatë të rënduar psikike vetëm mëngjesin e të mërkurës, pranë shtëpisë së saj kur bëri edhe denoncimin në polici.
Si provë hetimi do të shqyrtohen edhe tabulatet telefonikë të bashkëshortes së bashkiakut të Kavajës dhe të afërmve të saj.
mit/NOA