Gostivar, 2 qershor, NOA – Fushata zgjedhore në Maqedoni ka sjellë dhe shpalosjen e programeve konkrete të partive që përfaqësojnë shqiptarët në këtë vend. Partia Demokracia e Re ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një takim me simpatizantët e saj në Gostivar. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm kreu i DR-së, Imer Selmani dhe kandidatët e njësisë zgjedhore numër gjashtë dhe kandidatja e DR-së nga ky qytet, Myjesere Iljazi. Imer Selmani, në fjalën e tij theksoi rëndësinë që ka qasja e kësaj force politike drejt programeve konkrete dhe strategjive për zhvillimin e qyteteve dhe zonave ku jetojnë shqiptarët.
Ai foli dhe për synimet e kësaj force për pjesëmarrjen në qeveri, duke theksuar se DR-ja nuk do të jetë zbukurim politik.
“Ne nuk do i përsërisim gabimet e deritanishme të partive politike shqiptare dhe kurrë nuk do u shërbejmë si mbulesë qarqeve maqedonase që pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeveri e shohin vetëm si zbukurim politik”, tha Selamani.
Ai u shpreh se DR-ja ofron një platformë ndryshe nga ato të partive tjera, platformë e cila në qendër të saj ka avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. “Krahas bërjes së shqiptarëve si popull shtetformues e shtetdrejtues të Maqedonisë, ne duhet të angazhohemi edhe për forcimin ekonomik të komunave shqiptare”, tha ndër të tjerat Imer Selmani.
Kreu i DR-së u shpreh se ky zhvillimi i vendit nuk mund të jetë pa ndërtimin e komunave funksionale që do mund vetë të përcaktojnë programet zhvillimore ekonomike. “Ne do angazhohemi për një rishqyrtim të ndarjes territoriale të Maqedonisë dhe për një sistem fiskal që komunave do u garantojë siguri materiale”, tha ai.
Ai ka folur dhe për qëndrimet që do të mbajnë deputetet e kësaj force politike në lidhje me interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Selmani u shpreh se grupi i ardhshëm parlamentar i kësaj partie, “do jetë i pakapërcyeshëm në pengimin e projekteve dhe ligjeve që janë në dëm të shqiptarëve”.
Gjatë ditës së sotme DR-ja do të zhvillojë takime elektorale me banorët e Pllasnicës dhe Kërçovës dhe do të përfundojë me tubim qendror në Strugë.
a.k/NOA