English

Thaçi: Pas pavarësisë, prioritet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik

Prishtinë, 2 qershor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me një delegacion të përbërë nga biznesmenë zviceranë dhe gjermanë.

Gjatë bisedës me ta, Thaçi është shprehur se që pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës prioritet numër një ka konsolidimin dhe forcimin e shtetit, e në këtë kuadër zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare në vend, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më tej Thaçi ka theksuar investimet e fuqishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës në infrastrukturën rrugore, përkatësisht autostradën Vërmicë-Merdarë, autostradë kjo që është duke e ndërtuar konsorciumi i njohur Bechtel-Enka.

Ndër të tjera ai ka përmendur se fillimin e përgatitjeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, procesin e privatizimit të PTK-së, një mundësi kjo e mirë për investitorët seriozë për të zhvilluar sektorin e telekomunikimit në Kosovë, pastaj procesin e suksesshëm të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sektorin e energjisë dhe shumë projekte tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sakaq ai i njohu biznesmenët me Planin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, një plan ky i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, që përcakton prioritetet kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, afatet kohore për implementimin e këtyre prioriteteve dhe rrjedhimisht një plan që hap mundësi të shumta për investitorët e huaj për të investuar në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Thaçi po ashtu theksoi se forcimi i sektorit privat, infrastruktura ligjore në funksion të lehtësirave të të bërit biznes, rritja e vendeve të reja të punës do të vazhdojë të jetë në axhendën prioritare të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq nga ana e tyre, biznesmenët theksuan interesimet e tyre konkrete për të investuar në Republikën e Kosovës, në sektorë të ndryshëm ekonomikë.

a.y/NOA

KOMENTE