English

Tirana, Jerusalemi ynë

Nga Luçiano Boçi

Tendosja e rezultatit për Tiranën ka gozhduar para mediave një numër jo të vogël shqiptarësh. Kjo jo vetëm për karakterin thellësisht politik të përjetimit të ekzistencës sonë përditësore, por edhe për sensin emocional që gjithkush nga ne ka vendosur dhe ruan me kryeqytetin, jo vetëm për faktin e thjeshtë se është ai kryeqyteti. Në mendësinë dhe përfytyrimin tonë ai ka ekzistuar gjithmonë si i tillë, pavarësisht se jeta e tij është vetëm pothuajse 90-vjeçare. Ajo që të tërheq tek ai është pikërisht magjia, enigma, gjendja pa formë dhe gjithçka që ngjall kuriozitetin tonë të shfrenuar, sepse atje mbulesa, qoftë ajo sendësore, apo njerëzore nuk të jepet asnjëherë e plotë. Tirana mbetet për ne shqiptarët, si Jerusalemi për botën: e dëshiruar dhe e urryer njëkohësisht, plot kaos, konflikt, pa gjendje qetësie, arenë e përhershme përplasjeve të pafundme, vendi ku ndasitë apolitike dhe politike, duket sikur janë më të forta se në çdo vend tjetër, ku kontrasti është etalon, vendi ku stisen shumë fate e perspektiva, vendi ku zgjidhen e linden mijëra probleme, vendi ku e papritura ka ndërtuar mbretërinë e saj dhe domosdoshmëria ka nisur ta rivalizojë me sukses.

Ndër ne, kurioziteti për Tiranën, është tërësisht i identifikueshëm me atë që e drejton ose thënë ndryshe, me qytetarin e parë të saj, me atë që e drejton këtë gjigand rrëmujëbërës. Kjo nuk ngjet me kryeqytet e tjera as me Parisin, as me Londrën, as me Moskën apo Romën etj. Ndoshta kjo na ndodh, pasi ndër shekuj, ne më shumë kemi pritur nga njerëzit se nga vetë Zoti ose jemi qenie më shumë të aktualizuara sesa nostalgjikë historikë ose, ose…nga që forca dhe “shenjtëria” e ekzistencës së forcave politike, është e lidhur pazgjidhshmërisht me predominimin e saj.

Gjithsesi, ajo mbetet Jerusalem, brenda një fati deri tani uzurpues, që i ka imponuar asaj një lloj shfytyrimi dhe shformimi aspak komod për të gjithë ata që jetojnë në të ose që vijnë të kalojnë ditë brenda enigmës së saj, enigmë së cilës fortësisht i është shtuar shpallja e të parit të këtij “Jerusalemi”, enigmë e cila, falë reagimit të saj e ka dhënë përgjigjen e saktë e të fortë nëpërmjet fazave të lexuara me kujdes.

Shtangia saj është gjendja e parë revoltuese e saj, e cila pa dashje, të ysht të përkrahësh atë që qartazi ka treguar se di ta nxjerrë nga gjendja e inercisë, di ta entuziazmojë dhe t’i japë asaj vitalitet e jetë. Në këtë aspekt, shablloni i vjetër Rama u shkërmoq brenda një muaji dhe dëshmoi se qyteti para ngjyrave të shpëlara, vlerëson mentalitete dhe idetë e reja. Basha arriti qartazi të bëhet përfaqësuesi i së resë.

Revolta në thelbin e saj mori pamjen e saj reale dhe u bë shprehje e dëshirës së Tiranës për të nisur për veten e saj një erë të re, të domosdoshme dhe të pritshme me njerëz dhe drejtues politikë që kanë dëshirë para së gjithësh ta bëjnë këtë. Vota u bë realisht forma më e plotë e revoltës së qytetarëve të saj, e shprehur qytetarisht si kundërshtim ndaj imponimit të revanshizmit, të dhunës ndaj institucioneve dhe vlerave të instaluara, si kundërshtim ndaj formateve moderne të gënjeshtërta të së kaluarës, apo ndaj heshtjes si modë institucionale. Rama si burgosës i vlerave, përjetoi penalizmin e merituar. Këtu askush nuk mund të përqendrohet te matematika e shifrave, pasi ato thjesht janë indikatorë formalë dhe diferenca prej rreth 80 votave, psikologjikisht dhe realisht është një diferencë e shumëfishuar dhe kuptimësia e saj nuk mund të kufizohet numerikisht.

Përjetimi i triumfit të votuesit, i cili është futur në një gjendje pritje ngërçsjellëse, nga formalitetet e detyrueshme institucionale që për emocionet nuk kanë vlerë, është dalja e dëshiruar nga revolta në liri. Dhe këtë gjendje lirie, tani e gjen kudo, aq sa fjalët fitues dhe humbës kanë humbur etimologjinë e tyre dhe kanë marrë forma të përveçme Basha dhe Rama. Kjo ndodh se Jerusalemi ynë ndihet tashmë i çliruar. Tirana ka dalë më së fundmi nga “tirania” e zullumeve, e aferave dhe e keqpërdorjeve ramiste. Ajo duket se po i kthehet qytetarëve të saj, se për ta, sikurse shprehja e një ndër pushtuesve më me famë të Jerusalemit, Saladinit, ajo është njëkohësisht asgjë dhe gjithçka.

KOMENTE