Tiranë, 3 qershor, NOA – Kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë konferencës për media me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, se mazhoranca aktuale do të njohë çdo vendim të Kolegjit Zgjedhor në lidhje me zgjedhjet. Ai u shpreh se çdo gjë gjatë procesit zgjedhor ka qenë transparente dhe brenda kaudrit ligjor. “Sot është një gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje se shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Bindja jonë është se një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa funksionimin e shtetit ligjor. Ne i qëndrojmë dhe respektojmë vendimet e gjykatave edhe kur na pëlqejnë edhe kur nuk na pëlqejnë”, tha Berisha.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në kohën që në Kolegjin Zgjedhor, sot në orën 10:00 ka nisur shqyrtimi i çështjes për kreun e Bashkisë së Tiranës. Në konferencën e dhënë për mediat, dy kryeministrat kanë folur për procesin e integrimit europian dhe marrëveshjet dy palëshe. Duke komentuar procesin e integrimit të vendit, kreu i qeverisë hungareze, tha se Shqipëria do të jetë pjesë në BE, “në momentin do të ketë realizuar reformat”.
Ai i është përgjigjur dhe interesit të medias në lidhje me bojkotin e opozitës. Orban ka përmendur faktin se bojkoti është aplikuar disa kohë edhe nga opozita në vendin e tij, kundër ndryshmeve kushtetuese. Ai tha se Kryetari i Parlamentit Hungarez nuk u pagoi pagat për kohën që deputetët hungarezë të opozitës vazhdonin protestat dhe nuk merrnin pjesë në institucione .
a.k/NOA