Tiranë, 3 qershor 2011 NOA – Kolegji Zgjedhor ka rinisur punen me dëgjimin e pretendimeve të palës së paditur, përfaqësuesit ligjor të KQZ-së. Pas me pak se 20 minuta pushim, Dëshira Pasko përfaqësuese juridike e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve deklaroi se pretendimi i PS-së është i pabazuar në ligj. Ajo ka deklaruar përpara anëtarëve të kolegjit se vendimi i 23 majit është tërësisht ligjor dhe se votimi i aktit, sipas saj, u bë pa kundërshtim nga partitë. Pasko konfirmoi se akti normativ trajtoi kërkesat e 9 KZAZ për numërimin e votave.Më herët gjatë paradites, përfaqësuesi ligjor I Partisë Socialiste, Arjan Salaj tha se vendimi është akt normativ dhe se kemi të bëjmë me rregulla të reja. Ai kërkoi shpalljen e pavlefshme të vendimit të KQZ-së dhe anulim të veprimeve administrative ndërsa e ka cilësuar vendimin e KQZ-së si abstrakt.
“Akti normative u kalua pa kuorum 5 me 2, ndërsa KQZ-ja nuk duhet të vlerësonte votat e gabuara pasi ka kaluar kompetencat me këtë vlerësim” ka theksuar avokati i PS-së. Fillimisht selia rozë ankimoi aktin normativ të KQZ-së, të datës 18 maj, që i referohet numërimit të fletëve të kontestuara. Ndërsa më pas ankimoi dhe shpalljen e vendimit të KQZ-së që nxirrte fitues kandidatin e PD-së, Luzim Basha. Dy çështjet e ngritura në PS u bashkuan në një të vetme dhe Kolegji kërkoi më shumë kohë për tu njohur në mënyrë të plotë më pretendimet e PS-së.
a.q/NOA