Lezhë, 3 qershor 2011, NOA- Në kuadër të ditës botërore të mjedisit, e njohur botërisht si 5 qershori Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Programin e PNUD-it për Ndryshimet Klimatike dhe Këshillin e Qarkut Lezhë prezantuan sot një fushatë sensibilizuese për ndryshimet klimatike në zonën e deltave të lumenjve Drin e Mat.
Kjo fushatë ka si synim të rrisë ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin në komunitetin lokal në lidhje me çështjet e ndryshimeve të klimës, të lehtësojë mundësinë e informimit në mënyrë që të fitohet mbështetja e publikut për masat përgjegjëse për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike.
Sakaq mësohet se fushata do të zhvillohet përgjatë 20 muajve të ardhshëm.
Gjatë këtij aktiviteti gazetari Adi Krasta, u shpall si Ambasador i Vullnetit të Mirë i PNUD-it për Ndryshimet Klimatike në Shqipëri.
Adi Krasta, do të ndihmojë për të siguruar që të gjithë shqiptarët të njihen dhe ndërgjegjësohen me çështjet e ndryshimeve klimatike me të cilat po përballet vendi dhe bota, si dhe me përgjegjësitë që të gjithë ne ndajmë për zbutjen e këtij ndikimi.
Kjo nismë është bërë pasi mendohet se shpallja e një ambasadori të vullnetit të mirë do të rrisë përfshirjen e medias në fushatë, shpërndarjen e mesazheve tek një audiencë e gjerë.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, zëvendës Ministri i Mjedisit, Taulat Bino, tha se, “Kjo zonë përbën prioritet kombëtar zhvillimi, kështu që është e rëndësishme të punojmë së bashku për të përfshirë problemet e adaptimit ndaj ndryshimeve të klimës në politikat e zhvillimit jo vetëm të zonës, por edhe më gjerë. Duke e konsideruar adaptimin ndaj ndikimeve të pritshme të klimës si vazhdimësi të procesit të mbrojtjes ndaj katastrofave natyrore të lidhura me klimën, duhet të punojmë me moton "të investojmë sot në nivel lokal për një të nesërme më të sigurt”.
Më tej, Zineb Toumi-Benjelloun, Koordiantorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it e pranishme në aktivitet, gjatë fjalës së saj theksoi se, “Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me PNUD-in nisë dy vjet më pare një projekt që punon për të ndërtuar kapacitete adaptuese në deltat e lumenjve për të ndihmuar ekosistement vulnerabël dhe gjallesat që të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike. Ky është projekti i parë i këtij lloji në vend, duke i hapur rrugë zbatimit të masave adaptuese ndaj ndryshimeve klimatike që përfshin disa fusha kyçe që janë jetike për zhvillimin e vendit, përfshi: bujqësinë, turizmin, ekosistement dhe menaxhimin e zonës bregdetare.
Zona e deltave të lumenjve Drin e Mat është e njohur për rëndësinë globale të biodiversitetit të saj”.
a.y/NOA