English

Gjendet i vrarë kandidati për kryetar i komunës Vaqar, dyshohet flijimi

Tiranë, 3 qershor 2011 NOA – Kryetari i komunës Vaqar Skënder Drita, i cili në zgjedhjet e 8 majit humbi përballë kandidatit socialist Gentian Myrta, është gjetur i vrarë më armë zjarri dhe hetimet nxjerrin një vetëflijim të mundshëm.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës i thanë agjencisë NOA se Skënder Drita, 51 vjeç, lindur e banues në fshatin Lalë, komuna Vaqar e rrethit Tiranë, u gjet i vdekur pasi ishte qëlluar me armë zjarri, në banesën e tij, mbrëmjen e vonë të së enjtes.

Nga hetimet paraprake policia beson se kemi të bëjmë me një vetëvrasje në kushte të depresionit për shkaqe personale të të ndjerit.

Skënder Drita ka qenë kryetar i komunës Vaqarr për tre mandate me radhë i mbështetur nga Partia Demokratike.

Por në zgjedhjet e 8 majit, Drita humbi përballë rivalit socialist Gentian Myrta. Drita mori 1582 vota kurse Myrta 2427 vota duke i zënë kështu vendin në drejtimin e komunës Vaqarr.

Pak muaj para zgjedhjeve, në media ka pasur lajme kontradiktore në lidhje me të ndjerin.

Në disa prej tyre u publikuan dyshime mbi afera të mundshme të shpërdorimit të detyrës, ku Drita aludohej se kishte bërë falsifikime në prona.

Më 28 shkurt 2011, familja Driza, e ka akuzuar atë për falsifikim dokumentesh pronësie. Përmes një letre autoriteteve të shtetit, kjo familje akuzonte për “vjedhjen e tokës në shpërdorim të detyrës, nëpërmjet, falsifikimit, mashtrimit të ligjit dhe në bashkëpunim”, duke pretenduar se “Kryetari i komunës Vaqarr z. Skënder Drita ka vjedhur 12 dynymë tokë të familjes Driza”. Sipas letrës “toka është pronë e familjes Driza, përkatësisht dy parcela që janë tjetërsuar dhe mbivendosur me dokumentacion të falsifikuar dhe pikërisht në vitin 2006, sikur letrat janë bërë në vitin 1991, që përkon dhe ndarja e tokës, sipas frymëve ose anëtarëve të familjes në bazë të ligjit 7501”. Për këtë pretendim Bujar dhe Shkëlqim Driza nga fshati Prush në Vaqarr akuzoi jo vetëm Dritën por edhe pjesëtarë nga Komisioni i komunës për ndarjen e tokave.

Sakaq media të tjera kishin dhënë vlerësime kohët e fundit për punën e bërë në tre mandate të drejtimit nga Drita.

Ato vlerësonin se komuna Vaqarr e cila ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës, është ndër zonat që ka ndryshuar jashtë mase gjatë viteve të fundit. Kurse theksonin se thuajse të gjithë fshatrat që përbëjnë komunën infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm.

e.t/NOA

KOMENTE