Tiranë, 3 qershor 2011 NOA - Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e Partisë Socialiste ku kërkohej anulimi i vendimit të KQZ-së për të numëruar fletët e hedhura në kutitë e gabuara, duke bërë edhe pushimin e çështjes.
Në këtë mënyrë me këtë vendim mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa pritet forma dhe shprehja e këtij vendimi, por sakaq edhe me këtë vendim njihet si kryetar bashkie për Tiranën kandidati i maxhorancës, Lulzim Basha.
Kolegji u mblodh paraditen e sotme për të dëgjuar relatorin e cështjes Tom Ndreca si edhe përfaqesuesit ligjorë të Partisë Socialiste.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Arjan Salaj tha se vendimi është akt normativ dhe se kemi të bëjmë me rregulla të reja. Ai kërkoi shpalljen e pavlefshme të vendimit të KQZ-së dhe anulim të veprimeve administrative ndërsa e ka cilësuar vendimin e KQZ-së si abstrakt. Fillimisht selia rozë ankimoi aktin normativ të KQZ-së, të datës 18 maj, që i referohet numërimit të fletëve të kontestuara. Ndërsa më pas ankimoi dhe shpalljen e vendimit të KQZ-së që nxirrte fitues kandidatin e PD-së, Luzim Basha. Dy çështjet e ngritura në PS u bashkuan në një të vetme dhe Kolegji kërkoi më shumë kohë për tu njohur në mënyrë të plotë më pretendimet e PS.
a.y/NOA