Tiranë, 3 qershor 2011 NOA- Shtyhet për në orën 17.00 seanca në Kolegjin Zgjedhor. Në pritje të tabelave të rezultateve nga KQZ për punën e KZAZ-ve, kolegji vendosi të marrë 120 minuta pushim. Trupa e Kolegjit do të shprehet ,nëse do të marrë apo jo si provë materiale këto tabela përpara së KQZ të miratonte aktin normativ me numër 709.Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka deklaruar se vendimi 709 është i bazuar në arsyetimin kushtetues. Sipas tij ishte e nevojshme që të numërohej vullneti i çdo zgjedhësi ndërsa ka shtuar se Partia Socialiste nuk do që të numërohen votat e vlefshme. “Nuk dëgjuam të flitej për të drejtën e votes. Fletë të vlefshme janë hedhur në kutinë e gabuar ndaj nuk mund të ndëshkohet vullneti i zgjedhësve”,- tha Kaso
Dëshira Pasko përfaqësuese juridike e Komisionit Qendror Zgjedhor deklaroi se pretendimi i PS-së është i pabazuar në ligj. Ajo ka deklaruar perpara anëtarëve të kolegjit se vendimi i 23 majit është tërësisht ligjor dhe se votimi i aktit, sipas saj, u bë pa kundërshtim nga partitë. Pasko konfirmoi se akti normativ trajtoi kërkesat e 9 KZAZ për numërimin e votave.
Më herët gjatë paradites, përfaqësuesi ligjor I Partisë Socialiste, Arjan Salaj tha se vendimi është akt normativ dhe se kemi të bëjmë me rregulla të reja. Ai kërkoi shpalljen e pavlefshme të vendimit të KQZ-së dhe anulim të veprimeve administrative ndërsa e ka cilësuar vendimin e KQZ-së si abstrakt. Fillimisht selia rozë ankimoi aktin normativ të KQZ-së, të datës 18 maj, që i referohet numërimit të fletëve të kontestuara. Ndërsa më pas ankimoi dhe shpalljen e vendimit të KQZ-së që nxirrte fitues kandidatin e PD-së, Luzim Basha. Dy çështjet e ngritura në PS u bashkuan në një të vetme dhe Kolegji kërkoi më shumë kohë për tu njohur në mënyrë të plotë më pretendimet e PS-së.
a.q/NOA