English

Palët e dialogut

Nga Albin Kurti

Shqiptarët e njohin Serbinë më mirë sesa që ajo e njeh veten e saj. Sikurse edhe me çdo situatë tjetër koloniale, janë të shtypurit e kolonizuar ata që duhet të pyeten për shtypësin kolonizator. Shtypësi është injorant; i shtypuri i di të gjitha. Sepse i shtypuri është e vërteta e shtypësit.

Bisedimet aktuale të Kosovës me Serbinë nuk po bëhen që Serbia ta marrë vesh prej shqiptarëve se kush është ajo. Këto bisedime po bëhen që shqiptarëve t’iu përsëritet mësimi se kush është Serbia. Sepse nuk po diskutohet për Kosovën jashtë Serbisë, por për Serbinë brenda Kosovës (në emër të çështjeve teknike).

Para se të arrihet autonomia për serbët brenda Kosovës, është ndërtuar autonomia e dialogut nga Kosova. Qeveria e Kosovës ka emëruar delegacion për bisedime para se të pyetet populli e Kuvendi i Kosovës, si dhe para se të ketë një platformë bisedimesh (e cila thuhet se ekziston ndonëse nuk është dëgjuar ndonjë dëshmitar ta ketë parë atë përveç kryeministrit). Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies përgjatë këtij dialogu i paraprin mungesës së transparencës dhe llogaridhënies për marrëveshjet që mendohet të arrihen. Pra, njëra autonomi e pason tjetrën. Vetëm duke pasur një dialog Kosovë-Serbi që bën jetë autonome prej popullit e institucioneve të Kosovës, do të mund të kurorëzohet autonomia e entitetit të Serbisë brenda Kosovës.

Ndoshta marrëveshjet njëmend i mundëson ambiguiteti, porse ato çdo herë i zbaton interpretimi i të fortit (që s’jemi ne te ky dialog). Prandaj, qysh tash dëgjojmë nga të gjitha anët se si nuk do të preken kushtetutat, edhe pse kjo gjë tashmë s’është e mundur pasi që bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kosovës. Sidoqoftë, nuk mund të ketë lajm të mirë për shqiptarët nga dialogu në Bruksel. Kushtetuta e Serbisë është antishqiptare. Kushtetuta e Kosovës është joshqiptare.

Dialogu është gjithsesi shprehja e përsosur. Së pari, ajo krijon përshtypjen që bëhet fjalë për palë të barabarta që bisedojnë. Dihet që Kosova, Serbia dhe BE-ja nominalisht, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht as për së afërmi nuk janë të barabarta në këtë dialog. Serbia nuk e njeh Kosovën, kurse BE-ja ka fuqi ekzekutive në Kosovë dhe njëkohësisht është ndërmjetësuese. Kësisoj, dialogu përshkruan një kontekst që ngjan i sheshtë, përderisa, në fakt, aty ka një hierarki brutale të palëve. Së dyti, besohet që janë dy palë dialoguese për shkak të pjesëzës ‘di’, ndërkohë që fjalëformimi vjen nga pjesëza ‘dia’ që nga greqishtja do të thotë: nëpër(mjet). Pra, s’janë vetëm Kosova e Serbia, por edhe vetë BE-ja është palë biseduese në këtë dialog, e cila, për më tepër, e betonon asimetrinë. BE-ja si palë (dhe) ndërmjetësuese e njeh si shtet vetëm njërën nga dy palët e tjera dhe pikërisht mbi palën që nuk e njeh sundon nëpërmjet fuqive ekzekutive. Sigurisht që s’është e rastësishme pse politikanëve të Kosovës nuk iu bën aq përshtypje zëri i qytetarëve sa shikimi i ndërkombëtarëve.

Dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, BE-ja e ka vendosur në mesin e pesë çështjeve kryesore të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së saj (e ku ndodhet p.sh., edhe çështja e Iranit). Pra, nuk është në pyetje vetëm Kosova që rrezikon të bosnjëzohet, dhe as vetëm Serbia që thotë se po synon të europianizohet. Është edhe vetë BE-ja në pyetje. Dëshmia e saj që ka diplomaci në përputhje me përmasën e saj. Diplomaci që organizon e përmbyll bisedime, sepse bisedimet janë fetishi kujdestar i diplomacisë. Dhe, bisedimet nga diplomacia trajtohen si sinonim për paqen. Edhe atëherë kur kemi paqe pa drejtësi. Sidomos atëherë kur kemi paqe pa drejtësi.

KOMENTE