English

Reagon Greqia: JO heqjes së kombësisë nga çertifikatat që lëshohen në Shqipëri

Athinë, 3 qershor, NOA – Athina zyrtare ka lëshuar një reagim në lidhje me heqjen e origjinës etnike nga çertifikatat e lëshuara në Shqipëri.

Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Greke, Grigoris Delavekouras, ajo ka shprehur qëndrimin se ky është një vendim, rreth të cilit ngrihen shumë pikëpyetje lidhur me motivet që kanë çuar në marrjen e tij.

Sipas tij, ky vendim ndryshon në fakt praktikën e dekadave të tëra.

Por Grigoris Delavekouras në komunikimin e tij për mediat, nuk ka harruar as të përmendë faktin e asaj që e ka cilësuar si “vonesë” në lidhje me realizimin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri.

Kjo u cilësua sipas tij e qëllimshme nga ana e personave të qarqeve nacionaliste, të cilët janë shprehur publikisht kundër përfshirjes në pyetësorin për regjistrimin e popullatës, të pyetjeve në lidhje me origjinën etnike dhe atë fetare.

Delavekouras tha më tej se Athina zyrtare në lidhje me këtë çështje do të informojë Bashkimin Europian dhe se ajo do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në Shqipëri.

“Shqipëria pritet të jetë plotësisht në pajtim me kushtet dhe detyrimet e veçanta që i janë caktuar në lidhje me pranimin në Bashkimin Evropian.

Përfshirë këtu respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtat e minoriteteve në kuadër të standardeve evropiane”, theksoi

mes të tjerash zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, Grigoris Delavekouras.

Duke përfunduar se pikërisht, në mënyrë urgjente, qeveria shqiptare duhet që të realizojë bisedime konstruktive me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri, për të gjetur rrugën e duhur rreth marjes së vendimit të lartpërmendur.

Sipas tij, janë qarqe të caktuara ekstremiste, të cilat po i imponojnë qeverisë shqiptare marrjen e vendimeve të tilla që cënojnë të drejtat e minoriteteve.

n.e/NOA

KOMENTE