Tiranë, 3 qershor 2011 NOA - Superhajduti që po zhvaste qytetarët e Tiranës më në fund pas hekurave. Markeljan Cungu i njohur nga policia qysh kur ai ishte në moshë fare të vogël për shkak të vjedhjeve që ai realizonte është arrestuar mbrëmë nga efektivat e komisariatit të policisë nr.3, pasi akuzohet për vjedhjen e 45 milionë lekëve të vjetra në bashkëpunim me tre persona të tjerë.
Mosha e mitur kishte favorizuar Markeljanin të mos përfundonte në qeli edhe pse zbulohej nga policia për vjedhjet që kryente.
Por tashmë ai ka mbushur 14 vjeç dhe për herë të parë policia i komunikoi masën e arrestit.
Burime nga policia e Tiranës i thanë agjencisë NOA se ngjarja për të cilën u arrestua Cungu ka ndodhur tre ditë më parë te “Medreseja” në Tiranë kur ai në bashkëpunim me Marjo Merja, 22- vjeç, Serxho Mininji, 15 vjeç dhe me një tjetër person ende të paidentifikuar kanë vjedhur një kasafortë në zyrat e një firme ndërtimi.
Me një automjet tip-Benz ata janë larguar në drejtim të Bregut të Lumit ku kanë hapur kasafortën të cilën e braktisën pasi morën paratë.
Ndërkohë në rrugë operative policia mundi të identifikonte autorët e kësaj vjedhjeje ndërsa u arrestu Markeljan Cungu dhe Serxhoi Mininji.
Policia dyshon se brenda një muaji këeta persona kanë kryer një sërë vjedhje banesash në zonat të cilat janë në juridiksion të komisariatit të policisë nr.3, 4, dhe 1.
Markeliani me tu arrestuar nga policia ka deklaruar se paratë që kishte vjedhur, ai dhe shokët e tij i kishin prishur duke kaluar orë të shfrenuara nëpër pub-et e Tiranës.
e.t/NOA