Tiranë, 3 qershor, NOA – Kolegji Zgjedhor pritet të jap sot vendimin në lidhje me fituesin e Bashkisë së Tiranës. Seanca e sotme e organit më të lartë çështjeve zgjedhore , do të përcaktojë se cilat procedura do të quhen të vlefshme, në bazë të ankimimeve që kanë bërë subjektet politike.
Vendimi i këtij institucioni do të përcaktojë nëse fituesi i bashkisë së Tiranës do të jetë kreu i selisë rozë, Edi Rama, në bazë të numërimit të votave në datën 16 maj, apo kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, i cili kaloi në avantazh pas numërimit të votave të kontestuara nga KQZ-ja.
Seanca e kolegjit është paralajmëruar paraditen e sotme dhe relator i çështjes është gjyqtari Tom Ndreca.
Shtyrja e vendimit, rreth një javë më parë, u bë pas ndryshimit të padisë së bërë nga Partia Socialiste për të shpallur të pavlefshme procedurën e ndjekur nga KQZ për numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.
Fillimisht selia rozë ankimonte aktin normativ të KQZ-së, të datës 18 maj, që i referohet numërimit të fletëve të kontestuara. Ndërsa më pas ankimoi dhe shpalljen e vendimit të KQZ-së që nxirrte fitues kandidatin e PD-së, Luzim Basha. Dy çështjet e ngritura në PS u bashkuan në një të vetme dhe Kolegji kërkoi më shumë kohë për tu njohur në mënyrë të plotë më pretendimet e PS.
a.k/NOA