Tiranë, 3 Qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kolegji Zgjedhor sapo e ka dhënë verdiktin. Ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e PS dhe të vendosë pushimin e çështjes dhe në këtë mënyrë, kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës do të jetë ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha i propozuar nga Aleanca për Qytetarin.
Vendimi u shpall vetëm para pak çastesh nga Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës, pasi për disa orë ka administruar të gjitha provat dhe argumentet e bëra nga pala paditëse, PS dhe pala tjetër, ajo e mazhorancës që kërkon që vendimi i KQZ të mos rrëzohet.
Vendimi sapo u komunikua shkurt nga relatori Tom Ndreca i cili tha se rrëzohet kërkesa e PS dhe pushohet çështja.
Ky Kolegj pasi kishte pranuar ta shqyrtonte e ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste e cila kërkonte që të mos njihej si i ligjshëm vendimi i KQZ për hapjen e kutive dhe numërimi sërish i fletëvotimeve të gjetura në kutitë e gabuara.