English

Zbardhet tragjedia, dhe del një farsë

Nga Mustafa Nano

Më shumë se njëzet e katër orë më parë, me t’u transmetuar lajmi mbi rrëfimin tronditës të Griselda Roshit, ishte për të vajtuar me oi, oi, oi. Sot, pasi kemi marrë vesh versionin tjetër të ngjarjes, që përgënjeshtron në çdo detaj rrëfimin e zonjës Roshi, është për të qeshur me të madhe: hahahahaha! Gallatë e madhe, apo jo? E gjitha paska qenë një sendërgjí. Mos vallë duhet të presim akoma, pasi e vërteta mund të ketë të bëjë me ndonjë version të tretë, të katërt, të pestë? Jo, nuk duket se pritet të ketë versione të tjera. Ngjarja është ndriçuar në një masë të madhe. Mbeten ende dy pyetje pa përgjigje: 1. Si është e mundur që askush nga të afërmit e saj, përfshirë bashkëshortin, nuk ka dalë në harkun e 24 orëve të fundit për të na thënë, se “Griselda nuk ka qenë shtatzënë”, dhe se “ajo aq më pak ka qenë në ditët e fundit të shtatzënisë”, dhe 2. Pse është sajuar e gjithë kjo?

Nuk është se këto pyetje s’kanë përgjigje. Puna është se ne ende nuk e dimë. Mund të kenë dashur të inskenojnë e fabrikojnë një krim të markës qeveritare? Ky është një variant që bie aty për aty, jo vetëm ngaqë ngjarja është qepur me pe të trashë dhe në mënyrën më banale të mundshme, por edhe ngaqë opozita nuk ka bërë asnjë akuzë në adresë të qeverisë apo të segmenteve të errëta të lidhura me të. Edi Rama e të vetët shkuan me nxitim e në alarm në Kavajë, por nuk bënë deklarata as para, as pas vizitës në shtëpinë e Roshajve. E mira do ish të mos kishin shkuar në tym në shtëpinë e kryetarit të bashkisë, por shyqyr që nuk lëshuan ndonjë mufkë. Janë të shfajësuar? Jo, do ishin të shfajësuar, nëse do thoshin diçka (ata duhet ta kenë kuptuar pardje, që kjo histori lëshonte erë) për të qetësuar ndërgjegjen publike të trazuar keqas prej lajmit të tmerrshëm (lajmi, ashtu si u përhap fillimisht nga zonja Roshi e nga të gjitha agjencitë e sitet informative, të linte pa gojë); do duhej të thoshin diçka qoftë dhe për të ndalur valën e reagimeve në të nxehtë dhe atmosferën e elektrizuar që u krijua në orët e mbrëmjes.

Ndoshta e gjitha është frut i ndonjë gjendjeje haluçinante të zonjës Roshi? Në fakt, në pritje të ndriçimit të plotë të ngjarjes, kjo e fundit nuk mund të shpjegohet më mirë se sa me ndonjë çrregullim psikotik të gruas që u bë protagoniste nëpërmjet improvizimit të një fabule urbane të tipit horror, ku viktima ishte po ajo. Por në këtë pikë do të ishte e nevojshme dhe e udhës që të fliste familja. Familja nuk ka folur; të paktën deri në orët e mbrëmjes së djeshme. Do duhet të flasë në radhë të parë i shoqi i Griseldës, kryetari riosh e rishtar i Bashkisë së Kavajës. Ai i pari nuk do duhej të lejonte të zhvillohej në përmasa të shpërpjesëtimuara ky makth e panik nacional. Ai i pari ka pasur në dorë për të parandaluar spekulimet dhe hamendjet e bëra për orë e orë të tëra. Nuk e ka bërë. Dhe është fajtor për këtë. Nuk di arsyet pse nuk është bërë i gjallë për të na thënë se askush nuk e ka rrëmbyer gruan e tij, se gruaja e tij nuk është shtatzënë, se mbi të nuk është ushtruar dhunë (janë gjëra, që ai i ka ditur përpara policëve e prokurorëve), por cilado qoftë arsyeja, ai është fajtor lidhur me tronditjen që iu bë krejt pa të drejtë opinionit publik shqiptar. Ai s’do bënte keq të jepte dorëheqjen prej postit që sapo e ka fituar në mënyrën më spektakolare. Po të isha në vend të Edi Ramës, do t’ia kërkoja ta bënte këtë dorëheqje. Ai nuk e meriton të jetë në krye të Bashkisë së Kavajës. Dhe kur them këtë, nuk është se e mbaj përgjegjës për bizarritë e halucinacionet e bashkëshortes së vet; jo, e mbaj përgjegjës për faktin që nuk ka thënë atë që ka ditur përpara se policia e prokuroria të thoshin atë që zbuluan.

Është e turpshme e gjithë kjo. Dhe në këtë mes nuk është hiç fare faji i gazetarëve dhe i gazetarisë shqiptare. Sot më kanë zënë sytë plot komente online që kritikojnë shtypin, por janë të gjitha vlerësime të kollajta aposteriori. Nuk është hera e parë që shtypi (jo vetëm i yni) bie në grackën e një scoop-i që s’është scoop. Ju kujtohet që para dy vitesh e kusur gjithë shtypi e media amerikane u morën për ditë të tëra me historinë e një djali të vogël, që kish mbetur në një balonë të madhe të ngritur papritur në fluturim? Ishte e gjithë një ngjarje e shpikur nga i ati i djalit. Për pak protagonizëm. Të birin e kish fshehur në një haur, a në një bodrum. Sikur e vërteta të kish vonuar dhe pak atë mot, nuk do ish çudi të mblidhej Kongresi e të miratonte një ligj për të ndaluar praktikimin e hobit apo sportit të balonave. Kishin faj gazetarët? Nuk besoj. Të paktën, jo aq sa u duk aposteriori.

Për këtë arsye nuk ka pse të ngarkojmë me faj gazetarët, që transmetuan lajmin bombë të gruas nga Kavaja. Nuk i vë asnjë çikë faj as Elvira Dones-it për shkrimin e mbrëmshëm. Më doli online, dhe e gjeta të terrorizuar nga lajmi që sapo i kish mbërritur në Uashington. Po aq i terrorizuar isha dhe unë në Tiranë. Në fund të fundit, nuk kishim pse t’mos e besonim rrëfimin e zonjës Roshi. E kush e ka vënë në dyshim atë rrëfim në momentin e parë? Asnjë, besoj; veç në pastë qenë ndonjë njeri i mësuar me paranojat, d.m.th. ndonjë njeri që është vetë paranojak. Ah po, spekulimet mbi ngjyrimin politik të krimit nuk do të ishte e udhës të bëheshin, por statusi i “viktimës” (është fjala për gruan e kryetarit të Bashkisë së Kavajës prore antikomuniste, që sapo ka rënë në duar socialistësh) të ftonte për të bërë spekulime. Bën spekulime Dones-i në shkrimin e vet? Aty vihet re mbi të gjitha paniku i një gruaje në momentin që merr vesh që “një grua shtatzënë rrëmbehet, rrihet, keqtrajtohet, çohet në një klinikë obstetrike, i nxirret dhunshëm fëmija nga barku, dhe lëshohet lehonë pranë derës së shtëpisë së vet” (ky ishte lajmi). Aty thjesht është lëshuar një britmë (dhe në fakt, bash këtë më tha Dones-i online: më vjen të ulëras, e do ulem të bëj një shkrim-britmë).

Kuptohet, pasi doli në dritë që zonja Roshi nuk është viktimë, por paranojake, shkrimi i Dones-it bie. Mirëpo në orët e para të mëngjesit të djeshëm nuk ishte kështu. Në atë moment, gjithsekush mund të ish i gatshëm për të spekuluar. E dini ç’më ndodhi mua? Sapo u zgjova e mbajta frymën te kioska e gazetave, mora nja pesë-gjashtë sosh, dhe u ula t’i lexoja. Shqipi e jepte lajmin me shqetësim, por ftohtë dhe pa bërë asnjë spekulim. Shekulli e Tema nuk hidhnin asnjë dyshim mbi rrëfimin e zonjës Roshi, madje nënvizonin klimën e frikës prej krimit, në të cilën është e vështirë të jesh opozitar. Spekulim? Po, sepse ngjarja në fjalë (e stisur) klasifikohej te goditjet që marrin njerëzit për shkak të rreshtimit të tyre opozitar (këto goditje nuk janë hiç të stisura). Por spekulimi nuk ishte veç në njërin krah. Spekulonin dhe gazetat e krahut tjetër. Panorama kish informacionin më të bollshëm mbi ngjarjen, por në të njëjtën kohë bënte shkujdesshëm dhe interpretimin në favor të tezës që “e gjitha ish një sajim i zonjës Roshi”. I lexova dy faqet e Panoramës, dhe mora në telefon Robert Rakipllarin, për t’i thënë se “informacionin e keni të bollshëm, por me mënyrën se si e keni trajtuar lajmin, duhet t’i luteni Zotit që të jetë kështu si thoni ju; ndryshe, keni për t’u ndodhur ligsht”. “Mund të mos jetë kështu si themi ne. Por edhe mund të jetë. Informacioni është duke u plotësuar, dhe tamam-tamam do flasim pas 2-3 orësh”, ma tha Rakipllari. Më mori pas 3 orësh, e më tha: “Është ashtu si thoshim ne”. Këtë herë, ndryshe nga çfarë vura re gjatë bisedës së parë, ish i sigurt. Dhe i gëzuar.

Dua të them se të gjitha reagimet në të nxehtë pas një ngjarjeje të tillë do të shoqërohen se s’bën me ndonjë spekulim e me interpretime të ngutshme. Por nuk është faji i media-s. Ne gazetarët kemi faje sa të duash, por këtë herë duhemi kursyer.

KOMENTE