English

Fitorja e Bashës shënon një erë të re në politikën shqiptare

Nga Alban Daci

Ashtu, siç pritej, Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e Partisë Socialiste, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ. Ky vendim zyrtarizoi fitoren e z. Basha.

A është një risi në politikën shqiptare fitorja e tij? Pa dyshim që po dhe kjo përgjigje është sa e gjerë aq edhe e gjatë. Lulzim Basha e mposhti dhe e mundi z. Rama, i cili, le të themi, kishte krijuar bindjen në kokën e tij se ai është i vetmi për Tiranën dhe për këtë është i pazëvendësueshëm.

Lulzim Basha, falë stafit të tij elektoral, mbështetjes së popullit mundi në betejën elektorale z. Rama, kryetarin e Opozitës. Kjo ndodh për herë të parë në politikën shqiptare të 20 viteve të fundit, ku një lider i ri si Basha, me projeksion shumë të fuqishëm për të ardhmen, mposht kryetarin e Opozitës z. Rama, i cili, sipas mendjes së tij ishte dizenjuar për të qenë edhe kryeministër.

Gjithashtu, Basha i fitoj të gjitha betejat e tij kundër Ramës, duke u nisur nga themelorja, që është vota e qytetarit, deri tek vendimet e institucioneve, siç rasti i vendimit të Këshillit Zgjedhor.

Fitorja e Bashës është një risi për politikën shqiptare, sepse për herë të parë pas shumë vitesh Tirana u kthehet qytetarëve të saj, të cilët ndjeheshin të shpërfillur. Qytetarët, në 11 vitet e fundit thjeshtë merrnin frymë në qytetin e tyre dhe nuk kishin asgjë në dorë për jetën e tyre dhe për të ardhmen e qytetit ku ato jetojnë çdo ditë.

Fitorja e Bashës, është një risi në politikën shqiptare për faktin, se fushata e tij ishte një dialog mes tij dhe qytetarëve. Ai bërë një fushatë, ku në plan të parë ishte qytetari dhe bota e tij e përditshme e mbushur me halle dhe probleme të natyrës sociale.

Fitorja e Bashës është një erë e re në politikën shqiptare, ai është modeli i një Kennedy për vendin tonë. Ai është njeriu i suksesit, i shpresës europiane dhe simbol i prosperitet të jetës së shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë.

Basha është risi në politikën shqiptare, sepse ai me aksionin e tij politik dhe me mendjen e tij intelektual u riktheu shpresën shqiptarëve, të cilët kishin vite që nuk ëndërronin, kishin vite që nuk kishin në dorë fatin e tyre, kishin vite që nuk kishin në dorë të ardhmen e tyre.

Basha është simboli i rinisë shqiptare, simboli i rinovimit politik dhe shoqëror. Ai është një frymëzim për shumë të rinjtë, të cilët kanë kryer studimet jashtë vendit, por për shkak të politikave të gabuara të ndodhura në vend kanë kaluar dhe po kalojnë një periudhë pesimizmi si për të ardhmen e tyre ashtu dhe për vendin e tyre.

Fitorja e Bashës, na jep shpresën të gjithë ne të rinjve që nëse ne jemi të vendosur për të ardhmen tonë, atëherë ajo jo vetëm do të jetë e suksesshme në planin personal, por e dobishme edhe ne planin e përgjithshëm shoqëror.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor jo vetëm që është i drejtë, por është i justifikuar si në planin juridik, ashtu edhe në planin moral politik. Nuk ka institucion shtetëror, që mund të hedh poshtë dhe të mohoj vullnetin e sovranit të shprehur përmes votës së lirë. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë shteti do të dilte kundër vetës tij, sepse misioni i shtetit është përfaqësimi i vullnetit të sovranit që bëhet pikërisht përmes votës së lirë.

Nuk ka shtet demokratik perëndimor, që mund të mohoj votën e lirë të qytetarit. Vota e lirë është themeli dhe baza fillestare dhe kryesore që simbolizon atë që quhet demokraci e cila lindi në Greqi dhe u zhvillua në Amerikë dhe Europën Qendrore.

Fitorja e Bashës shënon një erë të re në politikën shqiptare, e cila sapo mbylli një cikël të stilit transitor dhe po të hynë në atë që quhet “Faza e Maturimit Demokratik”, ku në qendër të vëmendjes nuk do të jenë më “klanet politike” të dala rastësisht vite më parë në politikën shqiptare, por qytetari, sovrani i vetëm i këtij vendi.

Partia Socialiste në vitet e fundit, në periudhën post-Nano, zgjodhi mënyrën e gabuar për të ristrukturuar vetën e saj. Ajo, hoqi nga gjiri i saj intelektualët e vërtetë,ose siç quheshin ndryshe “profesorët”, dhe i zëvendësoi këta të fundit me biznesmenë, të cilët kanë jo vetëm kapacitete të vogla intelektuale, por ato për shkak të lidhjeve që kanë me botën e

biznesit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë më shumë të prirë drejt interesave të tyre personale dhe klanore se sa të përfaqësojnë interesat e qytetarëve, ashtu siç duhet të ndodh.

Partia Socialiste, tashmë, ka rastin më të mirë të reflektoj për politikat e saj të ndjekura në vitet e fundit, si dhe për burimet njerëzore, që ka brenda vetës. Normalisht kjo nuk është e lehtë të ndodh, duke pasur parasysh ekuilibrat e forcës brenda kësaj force politike, por nëse dëshiron të jetë një parti me vizione progresiste dhe me përgjegjësi të lartë opozitare duhet ta bëj procesin e ndryshimit dhe rinovimit sa më shpejt që të jetë e mundur.

Dikur, një eksponent i lartë i Partisë Socialiste, më tha: “Ne Partia Socialiste me ngjarjen e 21 janarit gabuam shumë, sepse krijuam imazhin se ne jemi një parti që duam të vijmë në pushtet me çdo kusht, qoftë edhe përmes dhunës”. Fitorja e Bashës, duhet të jetë një reflektim i thellë për PS-në, ata duhet të binden se pushteti nuk merret me çdo kusht, qoftë edhe përmes dhunës, por vetëm përmes votës së lirë të qytetarit.

Vota e lirë e qytetarit fitohet përmes riformimit strukturor dhe politik. Pra, PS-ja duhet ketë ide dhe projekte të qarta politike për të bindur votuesin, që ta votoj. Dikur Mario Albertini, politolog i shquar italian i nivelit europian, thoshte, se: “Partia Komuniste Italiane nuk mund të përjashtohet nga sistemi politik, përderisa ajo përfaqëson një realitet të rëndësishëm politik dhe social. Për këtë arsye, ajo duhet të reformohet”.

Një vend demokratik si Shqipëria që ka sfidat e rëndësishme përpara si atë të Integrimit Europian, ka nevojë edhe për një Opozitë konstruktive dhe serioze. Partia Socialiste nuk duhet të dal nga sistemi politik dhe shoqëror shqiptar, por ajo duhet te rinovohet në mënyrën e të menduarit dhe të bërit politik, duke u ngjarë partive të tjera socialiste evropiane, që kanë vite të tëra demokratike.

Unë, kam besimin e plotë, se fitorja e Bashës është një risi në politikën shqiptare, sepse ai nuk përfaqëson asnjë të kaluar të mistershme dhe të paqartë politike në historinë e shtetit shqiptar. Ai, përfaqëson zërin e shumë të rinjve, të cilët kanë kapacitet e larta intelektuale dhe dashurinë e madhe për këtë vend, që të ecë përpara dhe të behët europian, ashtu siç e

meriton. Një epokë e re sapo nisi në politikën shqiptare, tani duhet shumë vullnet, seriozitet dhe punë që ecuria e saj të jetë e lavdishme dhe mbushur me sukses.

KOMENTE
  • Shoqa Ngafshati11:46 - 04 Qershor 2011
    O SHOKU!!!!! Akoma ne fushate elektorale ke mbetur ti ???? Zgjohu e mos na mashtro, nuk them se rama eshte i kulluar por dhe si na e bere Bashen me vjen spontane te them ;Dua te kthehem ne Shqiperi !! ko...
  • vlonjati09:26 - 04 Qershor 2011
    populli nuk eshte qor mos shkruani budallalleqe se po ju qesh bota