English

Kriza çon Portugalinë në zgjedhje, sondazhet favorizojnë koalicionin e djathtë

Lisbonë, 4 qershor 2011, NOA - Me preokupim kryesor ekonominë e vendit dhe masat e forta shtrënguese portugezët do t’u drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re, që do të drejtojë vendin katër vitet e ardhshme.

Socialistët e Zhoze Sokrates duket se do të jenë humbësit e këtyre zgjedhjeve, viktimë e krizës ekonomike, që ka mbërthyer vendin prej disa muajsh.

Sondazhet i japin një avantazh të dukshëm socialdemokratëve të udhëhequr nga Pedro Pasus Koeliu me rreth 36 përqind të votave.

11 përqind të votave arrin të marrë Lëvizja Demokrate e Qendrës, e cila pritet të jetë pjesë e një koalicioni të djathtë qeverisës.

Partia Socialiste e Sokrates pritet të marrë 31 përqind, ndërsa dy partitë e tjera të së majtës, komunistët dhe Aleanca e Majtë nuk sigurojnë dot 15 përqind të votave.

Megjithatë një koalicion mes socialistëve dhe të majtës radikale është i pamundur.

Një skenar i tillë nuk është marrë në konsideratë që prej lëvizjeve kryengritëse të vitit 1974.

Analisti Andre Freire thotë se “partitë e të majtës radikale nuk bëjnë asnjëherë koalicion me socialistët për shkak se kanë si kusht kryesor implementimin e programit të tyre”.

Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e së dielës do të duhet të marrë përsipër zbatimin e masave të forta shtrënguese të planit të shpëtimit, që do të ketë si përfitim mbështetjen prej 78 miliardë euro nga Bashkimi Europian.

mit/NOA

KOMENTE