English

Lidershipi moral po shfaqet në Ballkan

Nga Catherine Ashton

Boris Tadic, presidenti serb i prirur kah reformat, ishte me të drejtë i gëzuar kur e takova javën e shkuar. Teksa avioni im u ul në Beograd, bota mori vesh se Ratko Mladic sapo ishte arrestuar. I arratisuri më i kërkuar në Europë ishte pas hekurave dhe tani do të përballet me gjykatësit në Hagë me akuzën “krime kundër njerëzimit”. Tadic më tha se, duke arrestuar Mladicin, ai e kishte afruar vendin më afër rolit të tij të plotë në Europën e sotme. Jam dakord.

Kapja e tij ka rëndësi për dy arsye madhore. Së pari, u kujton vrasësve në masë, kudo janë, se bota nuk do t’i tolerojë krimet e tyre. Një hap më shumë është hedhur drejt një bote në të cilën drejtësia triumfon mbi tiraninë. Së dyti, i jep jetë shpresës së mirë për një paqe të përhershme në Ballkan. Po i afrohemi njëqindvjetorit të krismës në Sarajevë, që ndezi Luftën e Parë Botërore. Që atëherë (dhe në fakt edhe më parë) “Ballkan” ka qenë një fjalë që shpjegonte ndasitë, konfliktin dhe brutalitetin. Nuk ka siguri se ato ditë kanë marrë fund, por tani ka hapësirë për politikë dhe dialogim në vend të gjakderdhjes.

Gjatë orëve që pasuan kapjen e Mladicit, media i dha shumë vend faktit se ndodhi pikërisht në ditën kur unë do të takoja Tadicin. Pasi isha informuar rreth detajeve të arrestimit, jam e sigurt se e gjitha ishte thjesht rastësi. Sidoqoftë nuk është rastësi lidhja ndërmjet dëshirës së Tadiçit për ta futur Serbinë në Bashkimin Europian dhe këmbënguljes së tij për të hequr njollën e sjelljes së udhëheqësve serbë përgjatë viteve ’90. Ai është i vendosur për të kapur baticën e demokracisë që ka zëvendësuar tiranitë komuniste, nacionaliste dhe fashiste në pjesën tjetër të Europës.

Puna ime është ta ndihmoj për këtë - dhe të ndihmoj të tjerë me të njëjtën ambicie. Me Kroacinë (shpresojmë) se do të përfundojnë negociatat këtë vit, ndërsa me Serbinë, ndoshta, do t’i fillojmë vitin tjetër - me gjasë bashkë me Malin e Zi. Tetë vjet më parë në Selanik BE-ja ra dakord të pranonte të gjitha vendet e rajonit në Union, për sa kohë ato plotësonin standardet.

As nuk e prisnim që ky proces të ishte diçka e shpejtë dhe e lehtë. Plagët e historisë marrin kohë për t’u mbyllur. Ka ende shumë punë për të bërë në të gjithë rajonin. Por shpresa e anëtarësimit në BE dhe të paturit të të njëjtave ideale e prosperiteti ka dhënë një inkurajim të fuqishëm për të rrafshuar diferencat e vjetra. Shtatorin e shkuar ekzistonte rreziku i një rezolute të OKB-së që do ta bënte më të thellë ndarjen mes Serbisë dhe Kosovës. E ftova Tadiçin në Bruksel për të diskutuar privatisht mbi këtë. Ai u kthye në Serbi pasi pranoi disa ndryshime mbi të cilat mund të binte dakord e gjithë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ekipi im tani po ndihmon me bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbi çështje praktike të së përditshmes.

Në maj, binda Milorad Dodikun, udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, të hiqte dorë nga kërcënimi i tij për referendum, që mund të kishte provokuar një konflikt të ri. Tani po merrem me uljen e tensioneve në Shqipëri.

Në të gjitha këto raste ne po përdorim leksionet e dy dekadave të shkuara. Ne ndërhymë shumë vonë në Bosnje-Hercegovinë, por kur e bëmë, komandantët ushtarakë si Rupert Smith dhe diplomatët si Richard Holbrooke, përdorën fuqinë e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve. Më pas europianë si Javier Solana, Carl Bildt, Paddy Ashdown dhe Berndar Kouchner gradualisht mundësuan që bisedimet të zëvendësonin luftën.

Mbetet ende shumë për të bërë. Ne nuk do të - dhe nuk duhet të - japim lehtësisht anëtarësime në BE. Ne kërkojmë demokraci të plotë, ekonomi të hapur, drejtësi të pavarur dhe fund të korrupsionit. Trysnia jonë dhe ndihma praktike, po japin fryte ndërkohë. Por trysnia që ka më shumë peshë është e brendshme, nga njerëzit që duan të ndryshojnë vendin dhe jetët e tyre. Fundi i historisë nuk është vetëm anëtarësimi në BE, por gjithashtu më shumë akses te investimet ndërkombëtare dhe mundësitë për biznes dhe rritje - të gjitha shumë të nevojshme në rajon.

E keqja që bëjnë njerëzit gjen shumë hapësirë në media. E mira shpesh varroset, ose nuk përmendet. Pak vetë dinë rreth gjithë asaj që Ivo Josipovic dhe Jadranka Kosor, Presidenti dhe Kryeministrja e Kroacisë, kanë bërë për të transformuar vendin e tyre, apo sesi ata dhe Tadiç kanë dalë kundër trashëgimisë së konfliktit serbo-kroat. Pres nga Tadiçi që të dëshmojë të njëjtën guxim dhe bujari sa i takon çështjes edhe më të ndërlikuar të Kosovës. E di se ai ka partnerë vullnetmirë në Prishtinë.

Ne nuk duhet të na lëbyren sytë me rajonin. Diferencat mbeten. Politikat mund të dështojnë. Dhuna mund të kthehet. Por as nuk duhet të tërhiqemi në pesimizëm duarlidhur. Pothuajse të gjithë ata me të cilët kam biseduar gjatë vizitave të mia kërkojnë që EU të luajë një rol më aktiv. U them se ne do ta bëjmë këtë me gëzim. Por u them gjithashtu se ka diçka të cilën ne nuk mund ta bëjmë. Lidershipi - një vizion për të ardhmen dhe gatishmëria për të rrezikuar për të - është një lëndë misterioze që të huajt nuk mund ta japin.

Aristoteli thoshte se shteti është një entitet moral. Transformimi i tij ka nevojë për lidership moral. Ka shpresë të njëmendtë se me anëtarësinë në BE si çmim, ky lloj lidershipi po fillon të përhapet në rajon. Sfida jonë, dhe është sfidë e vështirë, është të ndihmojë që kjo të zgjasë.

*Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme. Shkrimi është botuar në “The Guardian”

KOMENTE