Shkup, 4 qershor 2011, NOA – Maqedonia ndodhet në orët e fundit të heshtjes zgjedhore, pas nisjes së numërimit mbrapsht për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.
Qendrave të votimit në mbarë vendin do t’i drejtohen rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
Për 123 vendet e parlamentit maqedonas garojnë 1679 kandidatë për deputetë që i përkasin 18 partive e subjekteve politike.
Sipas analistëve favorite për fitoren e këtyre zgjedhjeve është Partia Konservatore VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski, që kërkon mandatin e tretë qeverisës, pas akuzave të partisë opozitare Lidhja Social-Demokrate e Branko Cervenkovskit, që e akuzon kryeministrin aktual për keqmenaxhimin e buxhetit të vendit.
Krahas garës mes dy partive kryesore të spektrit politik në Maqedoni, VMRO – DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski dhe asaj opozitare LSMD, tejet e rëndësishme është edhe gara mes dy partive shqiptare, BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thaçit, të cilat janë tejet të rëndësishme për krijimin e koalicionit qeveritar.
Në garën mes dy partive të mëdha shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, favorite shihet BDI, e cila pritet të marrë shumicën e votave nga shqiptarët etnikë në Maqedoni.
Ndërkohë për herë të parë në këto zgjedhje, tre nga 123 vendet e parlamentit do t’i takojnë komunitetit nga diaspora.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni do të vëzhgohen nga 7 830 vëzhgues të akredituar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ndër këta 7 341 syresh janë vëzhgues vendas, dhe 489 vëzhgues të OSBE/ODHIR-it, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimit Europian.
mit/NOA