English

Odiseja e zgjedhjeve, pse fitimtarët s’mund të humbasin

Edi Rama

Mbrëmë ishte një natë që shtoi errësirën mbi sistemin e drejtësisë shqiptare

dhe thelloi krizën e demokracisë në Shqipëri, duke na vënë para syve provën

e dhimbshme të legalizimit të veprimtarisë së paligjshme të Komisionit

Qendror të Vjedhjeve, për grabitjen në tavolinë të fitores së opozitës në

Tiranë.

Kolegji Zgjedhor ka bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë duke

sfiduar në korr me Saliun e me Ristanin sovranitetin e popullit,

Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, opinionet e shqetësime publike të misionit

të ODIHR-it si edhe të të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë të

Shqipërisë.

Vendimmarrja e mbrëmshme e kolegjit ka dëshmuar edhe njëherë, se fjala

drejtësi në Shqipëri është zbrazur, mu si një guackë e mbetur mbi rërën e

rrëshqitshme ku sipas rastit, dallgët e presioneve të pushtetit a të

ryshfetit, e kthejnë mbarë e mbrapsht guackën sipas interesash e qëllimesh

që bien ndesh me drejtësinë. Odiseja e këtyre zgjedhjeve në Tiranë është një

shfaqje e jashtëzakonshme e sëmundjes së demokracisë shqiptare, e cila ashtu

siç ka nxjerrë në pah qartësisht duart e pista që shkatërrojnë zgjedhjet në

Shqipëri, ka nxjerrë krejt në pah të gjithë pafuqinë shkatërruese të

sistemit të drejtësisë.

Mes një padrejtësie më shumë në turbullirën e nëndallgëve ku vegjeton në

kalbëzim të vazhdueshëm sistemi i drejtësisë dhe i një drejtësie që do t’i

ngrinte ata mbi dallgë në emër të së drejtës së popullit sovran, gjykatësit

zgjodhën dje të bëjnë padrejtësinë e radhës në dëm të popullit.

Jam i bindur se shumëkush pret nga unë që sot t’i akuzoj, me të drejtën e

Zotit e të ligjit që këtë herë janë qartësisht në krahun tonë, ata pesë

gjykatës që mbrëmë u rreshtuan në krahun e grabitësve të votës, e dhunuesve

të ligjit e pengmarrësve të këtij vendi. Por mua me vjen për ta vetëm

shprehja: Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë!

Ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve ka dalë në pranga kryetari i

opozitës, kanë dalë e dalin vijimësisht të humbur viktima krimesh apo

arbitraritetesh të rënda, kanë dalë e dalin përditë të shpronësuar

trashëgimtarë të ligjshëm pronash. Ashtu sikundër ky është vendi ku nga

sallat e gjyqeve kanë dalë të lirë, madje krejt të pafajshëm, gjithfarë

keqbërësish, nga ata me pushtet politik tek ata me duart e lyera me gjak të

pafajshmish a të ndyera me zullume të pashembullta në dëm të vendit apo të

qytetarëve pa përkrahje. Sigurisht ka pasur edhe raste kur drejtësia ka

dhënë drejtësi. Por natyrën dhe vlerën e sistemit të drejtësisë në një vend

nuk e përcakton numri i vendimeve të drejta, por fuqia mbrojtëse nga

padrejtësia. E kjo fuqi në Shqipëri është tmerrësisht e dobët dhe me

dobësinë e saj vret liri, dhunon të drejta, shkatërron individë, familje,

mbarë popullin, duke thelluar papushim plagë shumë të rënda për shoqërinë e

ardhmërinë e vendit tonë.

Drejtësia shqiptare nuk mbrojti dot mbrëmë as vetë të drejtën e popullit

sovran për të mos u vjedhur në votën e vet, për të mos u shkelur në të

drejtën e vet themelore të zgjedhjes, për të mos u mohuar në lirinë e vet më

esenciale për rendin demokratik. Madje ai trup gjykues nuk bëri asnjë

përpjekje për të dhënë arsyet e një vendimmarrjeje të një rëndësie kaq të

veçantë, të cilën vendi e priste me frymën pezull. Përmes një teksti thuajse

të pakuptimtë, ku shkeleshin hapur bashkë me logjikën kushtetuese e juridike

edhe vetë logjika e të shkruarit të gjuhës shqipe, Kolegji Zgjedhor i mbylli

përsëri derën drejtësisë. Mbrëmë disa festuan hipur mbi kurrizin e

drejtësisë, shumë të tjerë u ndjenë keq nën peshën e padrejtësisë.

Por e vërteta është se fjala e fundit në këtë betejë për drejtësinë nuk

është thënë ende dhe vendimi i mbrëmshëm na shton fuqinë për të luftuar deri

në fund që e drejta të shkojë në vendin e vet. Ne do t’i ridrejtohemi

Kolegjit Zgjedhor ku do të kërkojmë të drejtën tonë në bazë të Kushtetutës,

ligjit dhe detyrimit të patjetërsueshëm ndaj popullit sovran.

Ditët në vijim do të vijojmë të komunikojmë me opinionin publik dhe të

ndajmë me shqiptarët në çdo hap shqetësimin, por edhe vendimet tona për t’i

dalë zot një situate ku po merr formë të plotë diktatura e faktit të kryer.

Sot unë dua t’ju drejtohem miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë

duke u thënë se për ne vendimi i mbrëmshëm është këmbana më e fortë e

alarmit për humnerën ku mund të rrëshqasë ky vend. Ky vendim për ne është absolutisht i papranueshëm dhe sot nënvizojmë me

forcë domosdoshmërinë e një ekspertize ndërkombëtare, që të mund të

garantojë në kohë përputhjen e vendimmarrjes ligjore për çështjen e

zgjedhjeve të 8 majit me standardet e botës demokratike, ku Shqipëria nuk

mund të integrohet përmes zgjedhjesh të grabitura ditën për diell e pastaj

të vulosura nga trupa gjykues tërësisht të nënshtruar ndaj pushtetit.

Ekspertiza ndërkombëtare e ofruar nga vetë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë

të vendit tonë është e vetmja mundësi në këto kushte për të hedhur dritë në

një rrugë ligjore, që përndryshe mbetet plotësisht e errët dhe s’mund të

çojë askund tjetër, përveçse në thellimin dramatik të krizës së zgjedhjeve,

të drejtësisë e të vetë ekonomisë në Shqipëri.

Shqipëria s’duhet ta humbasë mundësinë e kësaj ekspertize si rrugëdalje e

vetme nga kjo krizë e rëndë dhe bota demokratike, vetë Bashkimi Europian

monitoron nga afër Shqipërinë në rrugën e integrimit, s’mund ta lejojë

humbjen e kësaj mundësie, për të kuptuar deri në fund të vërtetën lidhur me

zgjedhjet.

Le të vazhdojmë betejën duke besuar fort tek e vërteta, duke luftuar hap pas

hapi për të drejtën dhe duke u përgatitur ditë pas dite për rezistencën e

pashembullt që na takon të bëjmë në rast se e drejta do të merret

përkohësisht peng me vulë gjykate.

Humbësit nuk mund të bëhen fitimtarë dhe fitimtarët nuk mund të humbasin. Fitorja jonë në Tiranë u pa nga Shqipëria mbarë, e panë të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ajo fitore shkëlqen çdo ditë e më shumë sa më shumë përditë ata që duan ta grabisin, nxjerrin në dritë natyrën e vërtetë të këtij regjimi dhe problemin

e vërtetë të këtij vendi që është në duart e pista të Saliut.

*Deklarata e sotme e Kryetarit të PS-së, Edi Rama

KOMENTE