Tiranë, 4 qershor 2011, NOA- Pas afro një muaji përballjesh deklaratash e kundërdeklaratash, numërime e ankimime, mbrëmja e djeshme duket se i dha formë fituesit të Bashkisë së Tiranës.
Rrëzimi nga ana e Kolegjit Zgjedhor të ankimimit të Partisë Socialiste pas administrimit të të gjitha provave dhe argumenteve nga pala paditëse, rreth orës 21.00 të mbrëmjes së djeshme vendimi u komunikua shkurt nga relatori Tom Ndreca i cili tha se rrëzohet kërkesa e Partisë Socialiste dhe pushohet çështja, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lulzim Basha i kandiduari i demokratëve edhe pas këtij procesi mban kryesimin dhe është zyrtarisht fitues me 81 vota në avantazh.
Ndërkaq Kolegji pasi kishte pranuar ta shqyrtonte e ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste e cila kërkonte që të mos njihej si i ligjshëm vendimi i KQZ për hapjen e kutive dhe numërimi sërish i fletëvotimeve të gjetura në kutitë e gabuara.
Sakaq pas këtij vendimi, në kundërshtim nga selia blu nga ana e Partisë Socialiste mbizotëroi heshtja, duke mos u dhënë asnjë deklaratë lidhur me të, duke vijuar me të njëjtën situatë edhe gjatë paradites së sotme.
Nuk dihet ende se cili do të jetë hapi i radhës i saj, cili do të jetë ankimimi i radhës, apo nëse do i rikthehet rrugës së protestave, ashtu sikurse edhe është lajmëruar si një opsion i mundshëm.
Nga ana e tij, Lulzim Basha pak orë pas konfirmimit në krye të bashkisë, u shpreh i kënaqur nga vendimi, por deklaroi se do presë deri sa të mbyllet i gjithë procesi.
Për thuajse 1 muaj sytë e gjithë shqiptarëve u drejtuan drejt numërimit të votave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e së fundmi drejt Kolegjit Zgjedhor, ku kryesocialisti Rama mori goditjen e fundit për humbjen e bashkisë.
a.y/NOA