Tiranë, 4 qershor 2011, NOA – Pas akuzave të sotme ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor ka reaguar Partia Demokratike, duke deklaruar se kryebashkiakun e Tiranës e zgjodhën vetë kryeqytetasit e jo Gjykata. Zëdhënësja e PD-së Albana Mustafaraj i bëri thirrje kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” dhe kryesocialistit Rama të heqë dorë nga presionet mbi institucionet e pavarura kushtetuese të vendit, duke i kërkuar të pranojë rezultatin e vendosur nga zgjedhësit.
“Partia Demokratike vazhdimisht është shprehur se cilido qoftë verdikti përfundimtar i këtij procesi, ne do ta respektojmë atë. E dimë që është e pamundur për Edi Ramën të pranojë një rezultat ku ai ka humbur, por rezultati është rezultat”, bëri me dije Mustafaraj.
Këtu zëdhënësja e PD-së rikujtoi se në vitin 2009, ODIHR i kishte tërhequr vërejtje Edi Ramës për propagandën e kryer me qëllim që të siguronte një rezultat në favor të tij, jashtë kornizës institucionale.
“Është e qartë se ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë edhe sot, pavarësisht faktit se të gjithë e dinë se këto ishin zgjedhjet më të sakta dhe më të drejta në historinë e Shqipërisë”, tha zëdhënësja Mustafaraj.
Mustafaraj renditi një sërë pyetjesh që përpiqen të hedhin dritë mbi arsyet që e shtyjnë Edi Ramën të mos dëshirojë numërimin e çdo vote; apo t’i bëjë presion institucioneve ligjore të pavarura; si dhe të pështjellojë situatën politike postzgjedhore duke e anatemuar.
mit/NOA